Një aleate e liderit të opozitës ruse, Aleksei Navalni, është arrestuar në Moskë pas një operacioni kërkimi të kryer në orët e para të mëngjesit në shtëpinë e saj.

Sipas mbështetësve të Navalnit, Lyubov Sobol akuzohet se ka kërcënuar një agjent që Navalni thotë se ishte përfshirë në helmimin e tij në gusht, që për pak i mori jetën. Sobol, ishte mbajtur për disa orë nga policia edhe të hënën pasi kishte shkuar në apartamentin e agjentit.

Kremlini ka mohuar të ketë patur rol në sulmin ndaj Navalnit që ndodhet ende në trajtim në gjermani. Sipas Navalnit, policia ka hyrë në apartamentin e Sobol, në orën 7 të mëngjesit në ditën e krishtlindjes dhe e ka marrë atë me vete.

Ivan Zhadnov, shef i policisë anti korrupsion, tha se Sobol po merrej në pyetje për kërcënim dhe tentativë për dhunë. Kjo vjen disa ditë pasi ajo kishte shkuar në shtëpinë e Konstantin Kurdyavtsev, pjesëtar i FSB-së ruse, që Navalni javën e shkuar e kishte futur në kurth duke i nxjerrë detaje mbi përpjekjen e dështuar për ta vrarë atë. 33 vjeçarja Sobol është një mbështetëse e hershme e Navalnit dhe ishte arrestuar në vendngjarje. Pas marrjes në pyetje ajo u la e lirë pa akuza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA