“Prishtina International Theater Festival” mbyll edicionin e katërt, triumfon Kroacia

24/12/2020 12:54

“Prishtina International Theater Festival,” mbrëmë ka mbyllur edicionin e tij të katërt, edhe pse në një kohë të pazakontë për shkak të pandemisë së COVID.

Në këtë edicion të festivalit, i cili zgjati nga datat 19-23 dhjetor 2020, u dhanë katër shfaqje në programin konkurrues, me pjesëmarren e trupave profesioniste teatrale nga Bullgaria, Kroacia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa pjesë e festivalit ishte edhe shfaqja mysafire “Bretkosa” prodhim i Teatrit AAB.

Juria e PITF 2020 e përbërë nga Donat Qosja, aktor nga Kosova; Arbënesha Grabovci  Nixha, aktore nga Kosova dhe Adem Karaga, aktor nga Maqedonia e Veriut, vendosi që çmimi kryesor i festivalit, Aktori më i mirë, t’ i takojë aktores nga Kroacia, Ecija Ojdanić, për rolin e saj në shfaqjen “Vla-vla-Vlajland”.

Çmimi për rolin më të mirë dytësor, iu nda aktorit nga Kosova, Valmir Krasniqi, për rolin e tij në shfaqjen “Allo, allo”, prodhim i Teatrit “Hadi Shehu” nga Gjakova;

Çmimi për regjinë më të mirë, i takoi regjisorit kroat Ivan Leo Lemo, për shfaqjen “Vla-vla-Vlajland”; Sipas vlerësimit të jurisë profesionale, shfaqja më e mirë e festivalit u vlerësua shfaqja “Allo, allo”, e Teatrit të Gjakovës.

Çmimin për shfaqjen më të mirë të edicionit të katërt të PITF2020, sipas gjykimit të studentëve e mori shfaqja “Possible Ëorlds”, prodhim i Teatrit Nacional të Shtipit nga Maqedonia e Veriut.

Ndërsa Juria e Medias, si shfaqjen më të mirë të festivalit e vlerësoi shfaqjen nga Kosova “Allo, allo”, të cilën e solli trupa e Teatrit “Hadi Shehu” nga Gjakova.

Kujtomë se PITF (Prishtina International Theater Festival) është i vetmi festival në vend me karakter ndërkombëtar, i cili organizohet nga Teatri AAB “Faruk Begolli” në Prishtinë.

Top Channel