Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në fshatin Seltë të Elbasanit.
Pas dyshimeve se shtetasi J.K. dispononte armë zjarri, policia ka shkuar në banesën e qytetarit për të bërë një kontroll, por ky i fundit ka kundërshtuar duke qëlluar me armë në drejtim të uniformave blu. Nga të shtënat nuk raportohet për punonjës policie të lënduar.
Policia e armatosur ka shkuar drejt vendit të ngjarjes dhe ka rrethuar zonën në një perimetër të gjerë duke marrë masa sigurie për jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë në atë zonë. Në aksion janë përfshirë edhe forcat RENEA.
Njoftimi i plotë i policisë:
Më datë 24.12.2020, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan kanë shkuar në fshatin Selte, Elbasan, për kontroll banese, me vendim Gjykate, në banesën e shtetasit J. K., pasi dyshohej se dispononte armë zjarri pa leje.
Në momentin që shërbimet e Policisë kanë arritur në banesën e shtetasit J. K., ky shtetas, në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të Policisë duke u rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.
Nga të shtënat nuk ka punonjës policie të lënduar. Policia Vendore ka rrethuar zonën në një perimetër të gjerë duke marrë masa sigurie për jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë në atë zonë.
Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur forcat speciale Renea.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Top Channel