Besimtarët e krishterë, ata ortodoksë dhe katolikë, kremtojnë sot Krishtlindjen, një prej datave më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar.
Mesha e Krishtlindjes për shkak të masave të reja të pandemisë u mbajt në orën 18:00 në Katedralen e Shën Palit dhe 18:30 në Dioqezat e tjera, kështu qytetarët do të kenë mundësi që të kthehen në shtëpi para orës së re policore 20:30.
Mesha e Krishtlindjes në Katedralen e Shën Palit në Tiranë është drejtuar nga imzot Frendo. Ky i fundit tha se festës së Krishtlindjes nuk i shuhet shkëlqimi, edhe pse jemi në kohë pandemie.
“Krishtlindjes nuk i shuhet shkëlqimi as në këto ditë. Duhet të gjithë bashkë të themi: Na shpëto o Zot Jezus. Të lutemi për ata që ndihen të vetmuar”.
Imzot George Frendo ka treguar edhe historinë e një 78-vjeçari, të prekur me COVID i cili fliste me shumë dashuri për familjen. Pas kësaj historie Imzot Frendo u shpreh: “Krishtlindja është festa e familjes”.
“Isha në dhomë bashkë me një burrë 78-vjec, jemi bërë shumë miq. Fliste për gruan që ai e donte pa masë, më tregoi fotografinë e saj, ende ishte shumë e bukur, por e paralizuar. Ai kujdesej duke e larë dhe duke gatuar, është një shembull i asaj dashurie që nuk vjetërohet. Fliste për fëmijët që i kishte rritur me shumë dashuri dhe sakrificë dhe ata në shumë mënyra vazhdojë të tregojnë dashurinë dhe mirënjohje. Krishtlindja është festa e familjes. Rroftë Krishti, rroftë Jezuzi dhe me këtë gëzim ju uroj gëzuar Krishtlindjen”, tha Imzot Frendo.
Top Channel