Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme brenda në tunelin, përgjatë rrugës Tiranë-Elbasan.
Nga ky aksident kanë mbetur të plagosur rëndë dy shoferët e makinave që u përplasën me njëra tjetrën, “Audi” dhe “Mazda”.
Nga pamjet e siguruara nga Top Channel shihet se përplasja ka qenë tepër e fortë, saqë një nga makinat është shkatërruar tërësisht duke i dalë edhe motori nga vendi.
Pas përplasjes dy shoferët kanë mbetur të bllokuar për disa minuta në makinat përkatëse, ndërsa më pas janë dërguar me urgjencë në spital. Si pasojë e këtij aksidenti qarkullimi në tunelin “Elbasan-Tiranë” është bllokuar për disa minuta.
Ndërkohë është ngritur një grup hetimor për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Kujtojmë se në tunelin Elbasan-Tiranë kanë ndodhur shpesh herë aksidente dhe me pasojë vdekjen.
Njoftimi i policisë:
“Me date 24.12.2020, rreth orës 12:10, në afërsi të tunelit e rrugës Tiranë-Elbasan, janë përfshirë në përplasje dy mjete. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar të dy drejtuesit e mjeteve, të cilët po dërgohen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
Top Channel