Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të martën më 22 dhjetor njoftoi planet për të emëruar një numër tjetër të aleatëve të tij kryesorë në borde të ndryshme qeveritare, e cila është një shenjë tjetër që presidencës së tij po i vjen fundi.
Trump ka caktuar Hope Hicks, si një anëtare bordi që mbikëqyr bursën prestigjioze Fulbright. Hicks ka qenë prej kohësh një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Trumpit – jashtë familjes së tij – dhe u kthye në Shtëpinë e Bardhë këtë vit, pasi u largua më herët gjatë presidencës së tij.
Presidenti gjithashtu ka nominuar ish-prokuroren e Përgjithshme të Florida-s, Pam Bondi si një anëtare bordi të Qendrës John F. Kennedy, si dhe sekretarin e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Derek Lyons.
Trump gjithashtu zgjodhi Ezra Cohen-Watnick, nënsekretar i mbrojtjes për inteligjencën dhe sigurinë, për të kryesuar Komitetin e Deklasifikimit të Interesit Publik.
Richard Grenell, ish-ambasador amerikan në Gjermani dhe ish-ushtrues i detyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare si dhe i dërguar i posaçëm i presidentit për dialogun Kosovë-Serbi, u emërua për të shërbyer në Këshillin Memorial të Holokaustit në Shtetet e Bashkuara.
Të emëruarit janë në mesin e më shumë se 40 personave të emëruar në “pozicione kryesore” të ndryshme në panele si Komisioni i Arteve të Bukura, Bordi i Shërbimeve të Muzeut dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Korporata për Benefitet Pensionale.
Lista përfshin njerëz që kanë kontribuar në fushatat politike të Trump, si dhe Paolo Zampolli i cili u mburr se ai e ka prezantuar Trump me Zonjën e Parë, Melania Trump. Zampolli u emërua për një pozicion në bordin e Qendrës Kennedy.
Top Channel