Në rrugën “Skënderbeu”në Golem, banorët e një pallati ankohen sepse nuk kanë asnjë rrugëdalje, pasi janë të kufizuar me prona të tjera. Në rrugën e planifikuar në hartë, nuk mund të kalohet pasi ajo është një pronë private. Pronarët e kanë mbyllur duke mos lejuar njeri të kalojë në pronën e tyre. Ngjitur me të është dhe një kanal kullues i cili nuk mund të kthehet në rrugë pa një studim të mirëfilltë.
Në Fiks Fare u ankuan banorë të këtij pallati. Banorja Rezana Hyka u shpreh se çdo rrugë e mundshme për të dalë nga pallati i tyre është e bllokuar dhe në këtë mënyrë nuk kryejnë dot shërbimet për nevojat e tyre familjare. “Kemi provuar edhe mënyra të tjera kalimi, por janë prona private të gjitha” shprehet ajo për Fiksin.
Hyrja dhe dalja e këtyre banorëve në shtëpitë u është kthyer në tmerr. Gjetja e vetme për këta banorë është improvizimi i një ure primitive mbi kanalin e madh kullues. Për t’i shpëtuar izolimit kanë vënë mbi këtë një dërrasë. Më pas kalojnë përmes një toke private , por nuk mbaron me kaq. U duhet të kapërcejnë edhe një gardh hekuri që të shkojnë në banesat e tyre.Siç edhe kuptohet këtë rrugë e përshkrojnë vetëm në këmbë. Ndërsa për të shkuar me makinë në shtëpi banorët ecin 10 minuta, pasi të gjitha shtigjet janë të mbyllura.
Fiks Fare duke parë orvajtjet e këtyre banorëve u interesua edhe pranë Njësisë Administrative Golem. Topografi Bashkim Baraplaku shprehet se janë në dijeni të problemit madhor që kanë banorët. Ai shpjegon për Fiksin se sipas hartës ku është parashikuar të jetë rruga është kanali kullues dhe për të bërë rrugën duhet një studim tjetër. “Kanali nuk mund të kthehet në rrugë se është një katastrofë pastaj, por duhet një grup pune nga urbanistika dhe kadastra që të gjendet një zgjidhje” përfundon topografi.
Por deri sa institucionet të koordinohen për të bërë studimin e më pas të gjejnë zgjidhjen, këta banorë do vazhdojnë të kapërcejnë gardhe për të shkuar në shtëpitë e tyre.
Top Channel