Sa më shpejt data/ Albin Kurti “mezi pret” zgjedhjet e reja

22/12/2020 14:48

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti deklaroi se partia e tij do që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen sa më shpejt, por tha se në takimin me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, nuk ka biseduar për datën e tyre.

“Ky ishte një këshillim paraprak dhe ne shprehëm interesimin tonë si subjekt politik që për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të kemi një datë, e cila do të jetë sa më e shpejte”, tha Kurti. “Ne, së pari, duhet të marrim aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese. Pas kësaj mund të shpallet data e zgjedhjeve, në një hark të caktuar kohor, siç e parasheh Kushtetuta”, shtoi ai.

Kurti tha se përmes zgjedhjeve të reja “do të rivendoset legjitimiteti i institucioneve”. “Ne jemi të interesuar që të mbahen zgjedhjet e reja dhe të parakohshme në Republikën e Kosovës, meqenëse kemi humbur shumë kohë dhe na nevojitet të ecim sa më shpejt, që duke u kthyer te populli si burim i sovranitetit, të rivendoset legjitimiteti i institucioneve dhe të kemi një qeveri të re e kompetente, e cila e nxjerr Kosovën nga kriza e shumëfishtë”, tha Kurti.

Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi që zgjedhja e Qeverisë së Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte jokushtetuese, pasi deputeti Etem Arifi që votoi në 3 qershor për ekzekutivin aktual, kishte një dënim të formës së prerë prej një viti e tre muajsh burgim.

Kurti ndërkohë sqaroi se nuk e ka diskutuar me Vjosa Osmanin në këtë takim, çështjen e bashkimit me të për zgjedhjet e reja.

Top Channel