Në 31 janarin e vitit 2021 mbushet plot një vit nga akti normativ për verifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të krimit, bazuar në të dhënat e policisë, e cila ndërvepron me prokurorinë speciale SPAK.

Që prej miratimit të aktit normativ e deri më tani ka pasur shumë kërkesa për persona të akuzuar, apo dënuar për krime të ndryshme, të cilëve u është dashur të deklarojnë pasurinë në harkun kohor të 48 orëve. Ka pasur nga ata që e kanë kryer këtë procedurë dhe të tjerë që kanë vepruar përmes avokatëve.

Në të gjitha rastet, policia ka dërguar materialet në Prokurorinë Speciale dhe ligjërisht kjo e fundit ka dërguar vendime për sekuestrime në gjykatë.

Sipas shifrave, që prej 1 shkurtit të këtij viti e deri në 19 dhjetor janë regjistruar 226 materiale të paraqitura për vlerësim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Prokurorët kanë dhënë zgjidhje dhe me firmën e tyre kanë çuar në gjykatë 113 kërkesa për sekuestro.

Po me urdhër të SPAK-ut janë marrë 55 kërkesa për konfiskim të pasurisë. Por, në këtë proces ka pasur edhe gabime të policisë. Për këtë arsye ka pasur 42 kërkesa për heqje sekuestro dhe 50 të tjera për plotësim dokumentacioni.

Nuk kanë munguar edhe kërkesat për vendosjes të masës parandaluese individuale, të cilat kanë qenë 7 të tilla, ndërsa në proces vlerësimi janë 14 kërkesa.

Top Channel