Në një njoftim të rrallë publik, marina amerikane pohoi se nëndetësja bërthamore “USS Georgia” kaloi ngushticën e Hormuzit, e shoqëruar nga dy luftanije të tjera amerikane.

Asnjë nëndetëse e këtij lloji, e pajisur me raketa Tomahawk nuk kishte udhëtuar në Gjirin Persik prej tetë vitesh. Mbërritja e saj në rajon vjen në një kohë përshkallëzimi të tensioneve me Iranin.

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo fajësoi milicitë e mbështetura nga republika islamike për sulmin me raketa ndaj ambasadës amerikane në Bagdad të dielën. Disa zyrtarë amerikanë kanë shprehur shqetësimin se Irani mund ta përdorë përvjetorin e vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani për të ndërmarrë sulme ndaj interesave amerikane në rajon e mbase, edhe më gjerë.

Marina e SHBA-së rrallëherë i diskuton lëvizjet e nëndetëseve të saj, por njoftimin e fundit e shoqëroi edhe me shpjegimin se USS Georgia” është e aftë të mbajë deri në 154 raketa “Tomahawk”. Mediat e huaja e cilësuan këtë një demonstrim force kundër Iranit. Tetë raketa u lëshuan në zonën e gjelbër të Bagdadit, ku ndodhen misionet e huaja diplomatike; ndërtesa e ambasadës amerikane pësoi dëme të lehta, ndërsa nuk u lëndua asnjë pjesëtar i personelit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA