Qytetarët e Ballkanit, që udhëtojnë nga Evropa Perëndimore, drejt vendit të tyre të origjinës për të kaluar festat e fundvitit, kanë krijuar radhë të gjata në kufijtë gjatë të shtunës. Këto udhëtime po ndodhin pavarësisht paralajmërimeve se do të vendosen masa të reja kufizuese kundër koronavirusit, që kanë për qëllim të ulin numrin e udhëtimeve gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Radhë të gjata me vetura janë parë në kufijtë ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë dhe po ashtu ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa mijëra njerëz kanë pritur për orë të tëra për ta kaluar kufirin të premten dhe të shtunën. Shumë njerëz nga shtete si Kosova, Turqia, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina punojnë dhe jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore. Ata tradicionalisht kthehen në shtëpi me vetura gjatë festave të fundvitit, por edhe gjatë pushimeve të verës.

Disa shtete të Bashkimit Evropian, që kanë komunitete të mëdha të punëtove migrantë, kanë vendosur masa të testimit të detyrueshëm për koronavirus dhe masa të izolimit sapo ata të kthehen nga vendet e tyre të origjinës, duke shpresuar se këto masa do të bëjnë që më pak njerëz të udhëtojnë gjatë ksaëj periudhe.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor në baza ditore raportojnë për numër të lartë të infektimeve dhe spitalet në mbarë rajonin janë të mbingarkuara me pacientë që kërkojnë ndihmë mjekësore. Vizitat e familjarëve që jetojnë jashtë vendit zakonisht bëjnë që njerëzit të kenë kontakte më të shumta gjatë ndejave familjare, që potencialisht, sipas ekspertëve, mund të bëjë që të ketë përhapje më të madhe të virusit.

Përveç radhëve të gjata të krijuara nga qytetarët që po nisen për pushimet e fundvitit, vonesa në kufi janë shkaktuar për shkak të vendimit të Serbisë, që t’iu kërkojë teste negative të koronavirusit, të gjithë qytetarëve që hyjnë në këtë shtet. Ata persona që hyjnë në Serbi dhe që nuk kanë test negativ, duhet të izolohen për dhjetë ditë./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA