Kalifornia pret të marrë këtë muaj pak më shumë se dy milionë doza të vaksinës kundër COVID-19, të mjaftueshme për të vaksinuar gjysmën e punonjësve të kujdesit shëndetësor në atë shtet.
Çdo gjë që ka lidhje me këtë sezon festash është ndryshe: maska fytyre në vend të zbukurimeve, letër higjenike në vend të një ylli, zbukurojnë pemën e Krishtlindjes në një shtëpi për të moshuarit në qytetin Los Anxhelos, çfarë përshtatet me kohën. Dhurata e preferuar do të ishte vaksina kundër koronavirusit dhe Kalifornia pritet të marrë mbi 2 milionë doza këtë muaj.
Ndër të parët që do të vaksinohen do të jenë punonjësit e shëndetësisë dhe banorët në shtëpitë e të moshuarve. Disa ende janë të shqetësuar për marrjen e saj. Margarita Kechichian drejton shtëpinë e të moshuarve Ararat. “Dëgjoj të dy palët dhe dëgjoj shumë mendime, kështu që u thashë punonjësve që të respektojmë vendimet e njëri-tjetrit kur të vijë koha e vaksinimit sepse nuk do ta bëjmë të detyrueshëm”.
Pensionistja Larisa Vanyan dëshiron të vaksinohet sapo të jetë e mundshme. Ajo thotë se beson tek shkenca. “Natyrisht që jam e gatshme të vaksinohem. Nga çfarë duhet të kem frikë?” Por jo të gjithë banorët e shtëpisë së të moshuarve ndjehen aq optimistë sa Larisa. Disa nuk besojnë tek siguria e vaksinës. Lyudmila Mironenko është një prej tyre.
“Nëse lejohet, do të preferoja që të mos vaksinohem. Nuk jam e re dhe mbase më jep efekte anësore dhe çdo gjë mund të ndodhë. Nuk është testuar ende..” Virologu Dave Smith, pedagog i mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë në San Diego ka në plan të vaksinohet, por ai sheh rezistencë, kryesisht tek të rinjtë. Vaksina nga Pfizer aktualisht po ofrohet në mbarë Shtetet e Bashkuara.
“Duket që funksionon mjaft mirë kundër virusit dhe mund të mbrojë njerëzit në 90% të rasteve. Fillimisht duket shumë e sigurtë për sa u përket rreziqeve që dimë. Disa njerëz patjetër që do të kenë pak temperaturë, lodhje, dhimbje krahu kur të vaksinohen, por ato zhduken. Ende nuk i dimë rreziqet afatgjata.” Kjo është pikërisht ajo që i frikëson disa amerikanë. Por punonjësi i shëndetit Luis Perez thotë se e ka parë nga afër koronavirusin dhe beson se sëmundja është shumë më e keqe.
“Shumë njerëz po vdesin aktualisht dhe nëse nuk bëjmë diçka për të luftuar virusin si qënie njerëzore, brezi tjetër që do të vijë nuk do të ketë një mundësi si ne.” Deri në fund të këtij viti, Kalifornia do të marrë rreth 2.5 milionë doza vaksine dhe do të hartohet një plan i detajuar ndërsa shtetet marrin më shumë furnizime me vaksina./VOA
Top Channel