NATO dhe Komisioni Europian njoftuan sot se do të verifikojnë sistemet e tyre informatike pas një sulmi masiv kibernetik kundër agjencive qeveritare amerikan, për të cilin Uashingtoni akuzon Moskën si përgjegjëse.
“Në këtë fazë, ne nuk kemi zbuluar ndonjë provë që siguria e ndonjë rrjeti të NATO-s është komprometuar”, theksoi një zyrtar i NATO-s.
“Ekspertët tanë po vazhdojnë të vlerësojnë situatën, për të identifikuar dhe për të reduktuar çdo rrezik të mundshëm për rrjetet tona”, shtoi ai.
Microsoft theksoi se kishte informuar më shumë se 40 klientë të prekur nga softueri i përdorur nga hakerat, duke specifikuar se shumica ndodhen në SHBA.
Mes vendeve të tjera të përfshira bëjnë pjesë anëtarët e NATO-s si Belgjika, ku ndodhet selia e Aleancës, Kanadaja apo Britania e Madhe, raporton ATSh.
Hakerat kanë arritur gjithashtu të kompromentojnë softuerin Orion të firmës amerikane SolarWinds, të përdorur për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e rrjeteve kompjuterike të kompanive apo administratave të mëdha.
Zyrtari i NATO-s tregoi se organizata përdori softuerin SolarWinds në disa prej sistemeve të saj kompjuterike.
“NATO disponon gjithashtu një ekip të shpejtë të ndërhyrjes informatike që mund mobilizohet në çdo moment dhe qendra jonë operacionale për hapësirën kibernetike po funksionon normalisht”, theksoi zyrtari, duke folur në kushtet e anonimatit.
SHBA-ja akuzoi Rusinë se ndodhej pas sulmit masiv kibernetik. Rusia hodhi poshtë çdo përfshirje.
Top Channel