Një shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë pasi tentoi të arratisej gjatë një operacioni të gjerë policor.
Mediat e huaja shkruajnë se mësymja ndodhi në bazën e bandës së tregtarëve shqiptarë të drogës, në Grimbbergen dhe një sërë ambjentesh të tjera.
Pas këtij operacioni, policia sekuestroi 100.000 euro, automjete motorike, 20 kg kokainë me vlerë prej një milionë euro, si dhe arrestoi 11 persona.
“U arrestuan 9 burra dhe dy gra”, tha një zëdhënës i policisë gjyqësore në Halle-Vilvoorde.
“Një prej të dyshuarve jeton në Atwerp, një në Bruksel dhe të tjerët jetojnë në zonën e Halle-Vilvoorde”, shtoi ai më tej.
Gjatë bastisjes, një shtetas shqiptar u përpoq të arratisej duke kaluar nëpër çatitë e ndërtesave përreth, por u rrëzua duke pësuar lëndime të shumta.
Të dyshuarit e tjerë do të dalin para një gjyqtari hetues, i cili do të vendosë masën për ta. Banda shqiptare akuzohet për transportim kokaine në një flotë kamionësh të pajisur me ndarje të fshehta. Shumica e dërgesave besohet të jenë bërë drejt Italisë, ku policia italiane gjithashtu kreu kontrolle.
Media e huaj shkruan gjithashtu se do të hetohet për një lidhje të mundshme me vrasjen e një pronari shqiptar restorantesh në Strombeek.
Top Channel