Përse e latë peshëngritjen? Meta përgjigjet në emisionin “Pasó” në Top Albania Radio: Ka vetëm një të vërtetë…

18/12/2020 21:06

I ftuar në emisionin “Pasó” në Top Albania Radio ditën e sotme ka qenë Presidenti Ilir Meta.

Në pjesën e dytë të intervistë Meta ka zbuluar edhe shkakun se pse nuk e vazhdoi aktivitetin e peshëngritjes.

Ai ka thënë se arsyeja ka qenë një dhe vetëm një, se ishte i paduruar për t’u bërë kampion.

Intervistë e Presidentit Meta për emisionin “Pasó” në Top Albania Radio (Pjesa e dytë)

President Meta: Kam pasur të njëjtin trajner me Aleksandër Kondon, isha i paduruar për t’u bërë kampion!

Gazetari: Zoti President, gjatë kohës që kishit hobi komentimin në radio, merreshit edhe me peshëngritjen? Pra vijonte paralelisht?

Presidenti Meta: Jo, jo. Peshëngritjen unë e kam nisur në moshën 15 vjeç, një muaj ose dy muaj pasi është arratisur Aleksandër Kondo me Sukniqin.

Gazetari: Ka qenë idhulli juaj?

Presidenti Meta: Po. Aleksandër Kondo të them të drejtën ishte idhulli i gjithë të rinjve. Kishte një trup të jashtëzakonshëm në atë kohë dhe arriti të ngrinte mbi 200 kilogramë në vitin 1984. Për mua ishte një fatkeqësi që ai u largua nga Shqipëria, pavarësisht nga mesazhi që dha.

Po të kishte qëndruar në Shqipëri, ai do të kishte përfunduar kampion bote. Ishte i jashtëzakonshëm.

Gazetari: Të qëndrojmë pak te Aleksandri profesor? President, se na janë bërë të gjithë profesorë në fakt.

Presidenti Meta: Mund të më thoni edhe Ilir që të jeni edhe më komodë!

Gazetari: Jo, komodë jemi ne në çdo rast. President është më mirë se na ndjekin njerëzit dhe do të ishte më mirë që ata të kuptonin se po flasim me Presidentin e Republikës, i cili në këtë rast është shumë sportiv në bisedë.

Presidenti Meta: Ju faleminderit!

Gazetari: I ndjeri Aleksandër Kondo ka disa dritë-hije në raport me historinë e tij. Ju dini diçka në lidhje me këtë? Si ishte historia e tij që pati atë fat që pati?

Presidenti Meta: Po, unë kam dëgjuar shumë për Aleksandër Kondon. Ai ishte legjëndë që këtu, pastaj kur u largua u bë edhe më legjendar në kuptimin e gojëdhënave apo historive të lidhura me të. Ajo që mund t’ju them është se ka qenë një sportist shumë i madh. Kjo është e padiskutueshme. Që në vitin 1984 arriti të ngrejë 200 kilogramë në Shqipëri që është një rezultat i jashtëzakonshëm. Po kështu ka pasur një trup shumë të bukur që nuk është normale, sepse unë jam marrë vetë me sportin e peshëngritjes, që të kesh rezultate kaq të larta siç kishte Aleksandër Kondo, por edhe të kesh një trup aq të bukur, të punuar, sepse zakonisht ata që punojnë për trupin, për “bodybuilding”, nuk arrijnë dot rezultate kaq shumë të larta. Ajo që kujtoj unë është se trajneri im që ishte edhe trajneri i Aleksandër Kondos nuk na lejonte të bënim shumë stërvitje për trupin.

Gazetari: Ah, kishit të njëjtin trajner?

Presidenti Meta: Po, të njëjtin trajner dhe kjo është edhe arsyeja që u mora me peshëngritje. Ferid Berberi ishte trajneri i “Dinamos”, i Ekipit Kombëtar dhe ishte edhe mësuesi unë i fizkulturës në shkollën e mesme ‘Sami Frashëri” ku isha unë nxënës. Kjo ishte arsyeja që ia më vuri re si tip, si konstrukt, si personazh dhe më përzgjodhi.

Gazetari: Zoti President, ju nuk tërhiqeni kollaj nga sfidat. Përse e latë peshëngritjen. Pse duket si një sfidë e lënë përgjysmë?

Presidenti Meta: Po, kjo është shumë e vërtetë. Arsyeja ka qenë një dhe vetëm një: Isha i paduruar për t’u bërë kampion. Kjo është e vërteta.

Top Channel