Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) njoftoi se 3.174 migrantë të parregullt vdiqën në botë këtë vit pavarësisht nga kufizimet kundër koronavirusit të ri (COVID-19), por ky numër është shumë më i lartë për shkak të “aksidenteve të anijeve të paregjistruara”.
Paul Dillon, zëdhënësi i IOM-it, organizatës së migracionit të Kombeve të Bashkuara (OKB), mbajti një konferencë shtypi në Zyrën e OKB-së në Gjenevë.
“Pavarësisht nga më shumë se 90.000 kufizime të udhëtimit dhe lëvizjes të vendosura në gjithë botën për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19), dhjetëra mijëra njerëz të dëshpëruar vazhdojnë të bëjnë udhëtime të rrezikshme në shkretëtira, pyje dhe dete”, tha Dillon.
Duke kujtuar se 5.327 migrantë të parregullt humbën jetën në gjithë botën në vitin 2019, Dillon theksoi se megjithëse numri në fjalë ra në 3.174 këtë vit, shifra reale është shumë më e lartë për shkak të “aksidenteve të anijeve të paregjistruara”.
Dillon theksoi se është e nevojshme të gjenden “alternativa të sigurta, të parashikueshme dhe ligjore” për migrantët e parregullt.
Sipas tij, këtë vit kanë humbur jetën 1.773 migrantë në tentativë për të arritur në Evropë dhe 381 migrantë në kufirin SHBA-Meksikë, përfshirë gra dhe fëmijë./AA/
Top Channel