Në radhë për “tërmetin”/ Durrës, nuk po respektohet asnjë masë anti-covid

18/12/2020 15:17

Hapja e aplikimeve për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti që nuk kanë mundur të aplikojnë më parë për kompensim të dëmeve ka shkaktuar grumbullime masive njerëzish pranë institucioneve vendore në Durrës.

Që në orët e para të së premtes qytetarët kanë zënë radhë me dokumenta në duar për të aplikuar për dëmet nga tërmeti në nivelet DS1, DS2 dhe DS3.

Rradhë të gjata u krijuan fillimisht pranë godinës së Prefekturës së qarkut ku ndodhet zyra e rindërtimit që pret aplikimet e qytetarëve. Më pas, duke dashur të shmangin radhët e shumta u kërkua që qytetarët të pajisen me një numër paraprak për aplikim. Dyndja e njerëzve u zhvendos drejt teatrit ”Aleksandër Moisiu” ku u çel një sportel i ri. Distancimi fizik dhe masat anti-covid nuk u respektuan në asnjë rast, pavarësisht se shumë qytetarë janë të frikësuar nga infektimi në këto kushte.

Në Durrës, numrat e të infektuarve nga SARS-CoV-2 rriten çdo ditë, ndërsa grumbullime të tilla prej qindra qytetarësh në pritje të aplikimit shndërrohen në vatra masive të përhapjes së shpejtë të infeksionit. Afati i shkurtër, vetëm 1 ditor, i aplikimit po krijon probleme për shumë qytetarë të cilët nuk mund të shmangin këto radhë dhe as të respektojnë rregullat e distancimit fizik, ndërsa autoritetet vendore dhe policia heshtin të pafuqishme.

Top Channel