Antony Blinken, personi i emëruar nga Presidenti i zgjedhur Joe Biden si Sekretar i tij i Shtetit, vizitoi të enjten Departamentin e Shtetit për herë të parë që kur mori emërimin, duke marrë pjesë në takime dhe seanca informimi.
Zoti Blinken nuk pritej të takohej personalisht me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, i cili është në karantinë pasi ka rënë në kontakt me dikë që ka rezultuar pozitiv për koronavirusin. Nuk është e qartë nëse ata do të takoheshin në mënyrë virtuale.
Një zëdhënës i ekipit të tranzicionit tha se zoti Blinken dhe ekipi i tij po ndiqnin protokollet e rrepta për COVID-19 gjatë vizitës, duke shtuar se ai pritej të vazhdonte të merrte pjesë në takime të herëpashershme personale në Departament gjatë javëve të ardhshme. Departamenti i Shtetit tha të mërkurën se zoti Pompeo ishte në karantinë, por nuk iu përgjigj pyetjeve të mëtejshme se si ose kur ai ra në kontakt me individin e infektuar ose nëse po shfaqte simptoma.
Në nëntor, pas disa javë pritjeje, administrata e Presidentit Donald Trump i hapi rrugën zotit Biden për tranzicionin drejt Shtëpisë së Bardhë, duke i dhënë atij mundësi për informime dhe financime edhe pse Presidenti Trump u zotua të vazhdonte betejën për rezultatet e zgjedhjeve. Zoti Blinken, prej kohësh njeri i besuar i zotit Biden, shërbeu si numri 2 në Departamentin e Shtetit dhe si zëvendës këshilltar i sigurisë kombëtare në administratën e Presidentit Barack Obama.
Top Channel