Pas vizitës tre ditore në Shqipëri, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka folur për takimin me dyer të mbyllur me kryeministrin shqiptar, duke mos dhënë më shumë detaje se çfarë i ka thënë Rama, përfshirë këtu edhe diskutimin për mini-Shengenin.

Osmani para gazetarëve ka thënë se kjo ide është mbështetur nga pakica në Kosovë, e pakicë e quajti edhe qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

“Janë të paktë, janë pakicë ata që kanë ndryshuar. Por, Qeveria e Kosovës është pakicë, kjo është e vërteta”, ka shtuar ajo.

Tutje, Osmani ka treguar edhe nëse ka biseduar me kryeministrin Edi Rama, për minishengenin ballkanik.

“Natyrisht që kam shprehur qëndrimet që i kam thënë edhe më herët edhe në takimet të mëhershme edhe me vet kryeministrin Rama, edhe në takimet që kam pasur në Kosovë, por edhe me institucionet e tjera shqiptare. Meqenëse qëllimi themelor i vizitës sime ka qenë që të ngrisim nivelin e koordinimit, sidomos në çështjet e politikës së jashtme që prekin drejtpërsëdrejti përpjekjet tona të përditshme për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Këtu ka qenë fokusi, por natyrisht kemi folur edhe për çështje të tjera edhe unë si gjithnjë e kam shprehur qëndrimin që e kam. E kam thënë edhe në konferenca të tjera edhe në diskutime të tjera, çdo iniciativë rajonale duhet të bëhet mbi parimin e gjithëpërfshirës, që do të thotë nga pika e parë, nga pika e parë duhet të përfshijë të gjitha shtetet, e jo Kosova të bashkëngjitet më vonë”, tha ajo.

Ajo tha se ka pasur një sërë iniciativash rajonale të cilat më herët janë iniciuar dhe janë mbështetur nga vendet tjera, por që sipas saj problemi themelor gjithmonë ka qenë i njëjti.

“Nuk ka qenë mungesa e gatishmërisë së Kosovës, por ka qenë mos përmbushja e obligimeve që kanë dal nga këto iniciativa nga ana e Serbisë. Pra, pavarësisht se çfarë ka nënshkruar Serbia, qoftë në procesin e Berlinit me organizata të tjera, ata në praktikë e kanë bërë të kundërtën. Fakti që CEFTA kërkon që të eliminohen barrierat, kurse Serbia vazhdon të paraqes me qindra barriera edhe jo tarifore në raport me mallrat e Kosovës, duke krijuar kështu një disbalancë total tregtar mes Kosovës dhe Serbisë, tregon që ata kot nënshkruajnë iniciativa rajonale, e bëjnë sa për sy e faqe, e bëjnë vetëm sa për të treguar që kinse janë pro bashkëpunimit rajonal. Ndërsa, në të njëjtën kohë destabilizojnë Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe tentojnë të paraqiten kinse fqinj të mirë, gjë që nuk janë”, ka shtuar Osmani.

Top Channel