Suedia në vështirësi, shërbimet e reanimacionit nën tension

17/12/2020 17:59

Pavarësisht një ashpërsimi të kufizimeve nga autoritetet këto javët e fundit, Suedia dhe strategjia e saj atipike kundër koronavirusit janë vënë përsëri në vështirësi të mëdha nga një valë e dytë e frikshme që vendi nordik po përpiqet prej shumë kohësh ta shmangë.

“Autoriteti i Shëndetit Publik kishte përgatitur tre skenare këtë verë. Kishim parashikuar më të keqen. Sidoqoftë, rezulton se është dy herë më keq nga sa u dyshua”, theksoi Lars Falk, një zyrtar i kujdesit intensiv në spitalin, Karolinska të Stokholmit.

Shërbimet e reanimacionit janë nën tension, kërkesa për rritjen e personelit shëndetësor të kualifikuar në Stokholm, vdekshmëria deri në 10 herë më e lartë se fqinjët nordikë, këtë vjeshtë, strategjia suedeze, më pak e rreptë përballë epidemisë, përsërit bilancin shumë mediokër të pranverës.

“Fatkeqësisht, niveli i kontaminimeve me COVID-19 nuk është ulur (…) dhe është shumë shqetësues”, konfirmoi drejtori shëndetësor i rajonit të Stokholmit, Björn Eriksson, duke përshkruar një presion ekstrem në sistemin shëndetësor.

Pasi kishte kërkuar tashmë përforcim nga i gjithë personeli i kualifikuar shëndetësor, përfshirë klinikat private, ai urdhëroi dje anulimin e të gjitha operacioneve jo-urgjente në rajon.

“Tani mjafton”, ishte shprehur ai javën e kaluar. “Nuk ia vlen të pini një pije pas punës, të takoni njerëz jashtë shtëpisë tuaj, të bëni pazar për Krishtlindje ose të pini një kafe: pasojat janë të tmerrshme”.

Në fillim të javës, shtrimet në spital lidhur me COVID-19 në Suedi u barazuan me pikun e 20 prillit, me rreth 1 400 pacientë të trajtuar./Atsh/

Top Channel