Rusia hedh poshtë gjetjet e hetimit për helmimin e Navalnit

17/12/2020 03:57

Rusia hodhi poshtë gjetjet e një hetimi të ndërmarrë nga mediat, ku thuhet se janë identifikuar personat, të cilët qëndrojnë prapa helmimit të kritikut të Kremlinit Aleksej Navalni dhe që në hetim përshkruhen si vrasës të sigurimit të shtetit.

“Jemi mësuar tashmë me faktin se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore bëjnë akuza të reja kundër Rusisë në media, qofshin ato për hakera, ose për zbulime rreth helmimit të dyfishtë apo të trefishtë të Navalnit”, tha Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov. “Është zbavitëse të lexosh këto lajme,” shtoi zoti Lavrov gjatë një konference shtypi në Zagreb me homologun e tij kroat Gordan Grlic Radman.

Zoti Navalni tha të hënën se çështja e helmimit të tij ishte zgjidhur. Deklarata e tij pasoi një hetim nga mediat ku thuhej se një ekip vrasësish të shërbimit rus të sigurimit, FSB, e ndiqnin udhëheqësin e opozitës prej vitesh. Në hetim thuhej se operativët e FSB-së “të specializuar në armë kimike dhe mjekësi” e kishin ndjekur fshehurazi Navalnin më shumë se 37 herë në katër vitet e fundit, gjatë lëvizjeve të tij nëpër Rusi.

Hetimi u krye nga organizata e gazetarisë investiguese Bellingcat dhe media ruse The Insider në bashkëpunim me rrjetin CNN dhe revistën gjermane Der Spiegel. Kremlini ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur çdo aludim se autoritetet ruse u përpoqën të vrisnin Navalnin, një nga kritikët më të njohur të Presidentit Vladimir Putin. 44-vjeçari Navalni u sëmur papritur në muajin gusht gjatë një fluturimi nga Siberia për në Moskë. Ai u dërgua me aeroplan për trajtim mjekësor në Gjermani, ku vazhdon t’i nënshtrohet kurimit.

Në rezultat e publikuara prej tyre, faqja Bellingcat dhe media ruse The Insidenë bashkëpunim me revistën Der Spiegel dhe rrjetin CNN, citonin të dhëna nga fluturimet e kompanive ajrore dhe nga telefonia celulare për vendndodhjen gjeografike të përdoruesve. Aty citoheshin gjithashtu emra si dhe laboratorë lëndësh helmuese. “Këta operativë ishin në afërsi të aktivistit të opozitës gjatë ditëve dhe orëve brenda intervalit kohor kur ai u helmua me një armë kimike të gradës ushtarake… Duke patur parasysh këtë seri të pabesueshme rastësish, barra e provës për të dhënë shpjegimin e pafajësisë duket se i mbetet shtetit rus,” tha Bellingcat.

Nga ana e tij, zoti Navalni tha se hetuesit i kishin të verifikuara gjetjet e tyre dhe se çështja tani ishte zgjidhur, pavarësisht nga mungesa e një hetimi zyrtar në Rusi. “Unë e di kush donte të më vriste. Unë e di se ku banojnë ata. E di se ku punojnë. Unë i di emrat e tyre të vërtetë. I di edhe emrat e tyre të rremë, kam fotot e tyre,” tha zoti Navalni në një video, në të cilën mund të shihen fotografi të personave të përmendur në hetim.

“Kjo është historia e një grupi të fshehtë vrasësish të FSB-së që përfshin mjekë dhe kimistë, e mënyrës se si ata u përpoqën disa herë të më vrisnin dhe gati sa nuk më vranë edhe gruan në një rast,” tha ai. Zoti Navalni tha se tani ai besonte se Presidenti Putin e kishte urdhëruar operacionin kundër tij në shenjë hakmarrjeje për deklarimin që bëri udhëheqësi i opozitës në fund të vitit 2016 se do të kandidonte për president në 2018, një garë ku më vonë ai u ndalua të merrte pjesë për shkak të një teknikaliteti.

Kremlini ka lënë të kuptohet se Navalni bashkëpunon me CIA-n dhe mohon që zoti Putin të ketë pasur lidhje me helmimin e tij./VOA

Top Channel