Kuvendi i Shqipërisë ka votuar sot me 96 vota pro Altin Binajn si anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Me këtë vendim Kuvendi plotësoi 3 vakancat që i takojnë në këtë gjykatë.
Sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manjas i takon Presidentit dhe KED-së që me të njëjtën frymë bashkpunimi si me Kuvendin, të plotësojnë vakancat e mbetura për ta bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese.
“Punë e kryer ! Me votimin e z. Altin Binaj për anëtar i Gjykatës Kushtetuese me 96 vota pro, Kuvendi, plotësoi 3 vakancat që i takojnë në këtë gjykatë ! I takon Presidentit dhe KED që me të njëjtën frymë bashkpunimi si me Kuvendin, të plotësojnë vakancat e mbetura për ta bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese”, thotë Ulsi Manja, kryetar Komisionit te Ligjeve.
Altin Binaj ka drejtuar Prokurorinë e Apelit të Vlorës, ndërsa u përball me dyshime për pamjaftueshmëri të pasurisë në janar të vitit që lamë pas.
Emri i Altin Binajt erdhi në Kuvend pas vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi 3 ditë më parë. Binaj plotëson në Gjykatën Kushtetuese vakancën e mbetur pas shkarkimit i ish-anëtarit Fatos Lulo.
Në ditët në vijim, KED pritet t’i dërgojë kandidaturat Presidencës, të renditura sipas pikëve, për vendin vakant, të krijuar pas shkarkimit të Besnik Muçit. Në garë për vendin e Muçit janë Sonila Bejtja, Aleksandër Toma si dhe Zhaklina Peto. Kjo e fundit është kthyer në garë për të katërtën herë nga Gjykata Administrative.
Top Channel