Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli ecën në rrugë të ndryshme pas përjashtimit nga listat e Partisë Demokratike në vitin 2017. Sot dy ish-zyrtarët e lartë demokratë drejtojnë formacionet e tyre politike dhe do bashkohen sërish për një kauzë të përbashkët.
“Ne kemi profile të ndryshme ndoshta, nuanca të ndryshme që edhe na dallojnë nga njëri-tjetri, por kemi një kauzë të përbashkët që është ndryshimi i politikëbërjes në Shqipëri dhe nga ana tjetër kemi interesa elektorale që na bashkojnë, se në rast se garojmë më vete do e kishin më të lehtë partitë e vjetra për të na spostuar apo copëzuar në zgjedhjet e 25 prillit”, shprehet Patozi.
Urat e komunikimit mes drejtuesve të Bindjes Demokratike dhe Lëvizjes për Ndryshim janë vendosur, ndërkohë ka edhe një produkt konkret, vendimi për të garuar më një listë të përbashkët.
“Kemi rënë dakord parimisht për një bashkëpunim që i bie listë e përbashkët. Me Jozefina Topallin dhe me këdo tjetër që ju shkon ndërmend që nuk bën pjesë te lista e kundërshtarëve politikë dhe që është i hapur për bashkëpunim”, shton Paztozi.
Ka zgjedhur të injorojë sulmet që i vijnë nga ish-partia e tij, të cilën tashmë e rreshton mes 3 kundërshtarëve të tij politikë në zgjedhje.
“Që janë Rilindja e Edi Ramës dhe opozita e kompromentuar e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Ata mendojnë se opozita është lloj prone dhe kushdo që futet u rrëmben diçka nga copa e tyre. Opozita është mision. Mund të thonë çfarë të duan për ne, ne ose do i injorojmë, ose do i kthejmë ndonjë shpullë të lehtë”, vazhdon Patozi.
Astrit Patozi konfirmon se do garojë vetëm në një zonë elektorale duke refuzuar atë pjesë të kodit që nuk e mbështet as Venecia.
Top Channel