Nën pushtetin e pandemisë! Krishtlindje “të kufizuara” në Evropë

17/12/2020 13:55

Evropa këtë vit po pret festimet e Krishtlindjeve me masa kufizuese, me shumë vende që po marrin masa paraprake për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).

Dje, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se transmetimi i COVID-19 në të gjithë rajonin evropian mbetet i “përhapur dhe intensiv” dhe u kërkoi njerëzve të mbajnë maska në tubimet familjare të Krishtlindjeve.

Gjermania

Përderisa Gjermania po regjistron shifrat më të lartë të viktimave dhe rasteve, së fundmi me 952 viktima të reja dhe 27.728 raste, vendi dje hyri në një bllokim më të rreptë, duke mbyllur dyqanet jo-thelbësore, shkollat dhe kopshtet e kujdesit ditor.

Restorantet dhe kafenetë do të ofrojnë vetëm shërbime me porosi, të paktën deri në muajin janar.

Megjithatë, siç u njoftua të dielën nga kancelarja, Angela Merkel, anëtarët e afërt të familjes do të mund të kalojnë Krishtlindjet së bashku, por nën kufizime. Gjatë kësaj periudhe do të lejohen takimet deri në 4 persona nga familje të tjera.

Merkel po ashtu kërkoi nga publiku të vetë-izolohet për një javë para grumbullimeve familjare për Krishtlindjet, me qëllim për të reduktuar rrezikun e infektimit.

“Do të dëshironim t’u bënim thirrje të gjithë qytetarëve, nëse do të ftoni familje të tjera për Krishtlindje, ju lutem reduktoni kontaktet tuaja për 7 ditë para se ta bëni këtë”, tha ajo.

Qeveria gjermane ndaloi shitjen e fishekzjarreve në prag të Vitit të Ri. Pirja e alkoolit në publik po ashtu është ndaluar midis 16 dhjetorit dhe 10 janarit.

Franca

Të martën, Franca hoqi kufizimet e bllokimit pasi e vendosi në fund të tetorit, por shtetrrethimi gjatë natës do të vazhdojë të zbatohet. Udhëtimi gjatë orëve të shtetrrethimit do të lejohet vetëm për punonjësit shëndetësorë dhe të tjerët me leje paraprake nga autoritetet lokale.

Mbajtja e maskave në të gjitha hapësirat e brendshme dhe të jashtme po ashtu do të mbetet e detyrueshme. Të gjitha kinematë, sallat e konferencave dhe të baletit si dhe muzetë dhe teatrot do të qëndrojnë të mbyllura deri më 7 janar. Të martën, kryeministri Jean Castex në një program televiziv foli për rekomandimet nga task-forca e vendit kundër pandemisë së COVID-19.

“Këshilli Shkencor po thotë diçka shumë të arsyeshme, së pari, të mbyllesh 8 ditë para Krishtlindjes, nëse mundesh, kur të jetë e mundur”, u shpreh Castex.

Italia

Qeveria ende po diskuton masa më të rrepta kundër koronavirusit për festat e ardhshme, duke ndjekur shembullin e Gjermanisë dhe të partnerëve të tjerë evropianë në një përpjekje për të shmangur një valë të tretë të pandemisë në fillim të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, ekspertët dhe ministrat e udhëhequr nga kryeministri, Giuseppe Conte janë të ndarë rreth kufizimeve të reja, që mund të përfshijnë një bllokim pothuajse të plotë gjatë festimeve kryesore.

Qeveria është e shqetësuar se një relaksim i rregullave gjatë festave të Krishtlindjes mund të favorizojë grumbullime të mëdha dhe bashkime familjare, duke shkaktuar një valë të tretë të infektimit në të gjithë vendin.

Mbretëria e Bashkuar

Mbretëria e Bashkuar po përgatitet për kufizime më të qeta, edhe pse Londra hyri në masat e ‘nivelit 3’ me kufizime më të rrepta të prezantuara dje.

Do të ndalohet grumbullimi i më shumë se 6 personave si dhe shoqërimi në hapësira publike, ndërkohë njerëzit nuk do të mund të takohen brenda ose jashtë shtëpive të tyre nëse nuk janë nga e njëjta shtëpi.

Në qytet, teatrot, kinematë dhe palestrat do të qëndrojnë të mbyllura, po ashtu edhe stadiumet e futbollit do të jenë të mbyllura për tifozët. Ceremonitë e dasmave do të kufizohen në 15 persona ndërsa funeralet në 30 persona. Dje, kryeministri britanik, Boris Johnson tha se deri në tre familje të ndryshme do të mund të përzihen për pesë ditë gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

Në një konferencë për media, Johnson tha se ka shenja shqetësuese të rritjes së numrit të rastve dhe u bëri thirrje njerëzve që të tregojnë “kujdes ekstrem” gjatë sezonit festiv.

Mijëra njerëz pritet të udhëtojnë në të gjithë vendin për të vizituar familjet dhe miqtë në periudhën 23-27 dhjetor. Mbretëria e Bashkuar ka një sistem prej tre nivelesh të masave lokale kundër shpërthimit të virusit. Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 69.908, shifër më e lartë në Evropë.

Holanda

Holanda njoftoi një bllokim të dytë deri më 19 janar të vitit 2021, për shkak të rritjes së infeksioneve me COVID-19. Sipas masave të reja të njoftuara nga kryeministri Mark Rutte, vetëm dyqanet thelbësore do të qëndrojnë të hapura gjatë mbylljes pesë-javore.

Familjet holandeze nuk do të lejohen të grumbullohen në një numër të madh gjatë Krishtlindjeve, respektivisht me vetëm 2 mysafirë mbi 13-vjeç të lejuar. Shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri më 19 janar dhe të gjitha vendet publike, përfshirë floktaritë dhe qendrat ditore do të qëndrojnë të mbyllura deri në të njëjtën datë.

Rutte po ashtu i bëri thirrje publikut të shmang udhëtimet jo-thelbësore brenda dhe jashtë vendit.

Spanja

Spanja raportoi kërcënimin e saj më të lartë të infeksioneve, me autoritetet shëndetësore që së fundmi konfirmuan 11.078 raste të reja. Duke reaguar ndaj rritjes së re të numrit të rasteve, kryeministri Pedro Sanchez paralajmëroi se mund të ketë një ndryshim në minutën e fundit të planeve mbi masat paraprake që duhen marrë gjatë festave.

“Nëse duhet ta bëjmë planin më të rreptë, mos dyshoni, qeveria qendrore do t’u kërkojë qeverive rajonale të shtrëngojnë masat”, tha Sanchez në një seancë të tensionuar parlamentare.

Për momentin, Ministria e Shëndetësisë rekomandon të lejojë njerëzit të udhëtojnë për të vizituar miqtë dhe familjen gjatë sezonit të festave ndërkohë që vendi relaksoi shtetrrethimin dhe lejoi deri në 10 persona të grumbullohen në ditët e festave.

Megjithatë, qeveritë rajonale kanë fjalën e fundit për atë që banorët e tyre do të lejohen të bëjnë.

Top Channel