Ministrja e Drejtësisë: Ulet dënimi për ata që ndërtojnë pa leje për të plotësuar nevojat për strehim

17/12/2020 11:20
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni ka folur ditën e sotme në seancën parlamentare për personat që ndërtojnë pa leje, duke mos lënë pa përmendur edhe  përgjegjësit e tërmetit të 26 nëntorit që solli 51 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra familje pa shtëpi.

Ajo shprehu disa prej vendimeve ligjore të personave që bëjnë shkelje në ndërtimin e banesave.

Sipas saj, përgjegjësia penale për të gjithë ato subjekte që nxisin me ose pa shpërblim, ose detyrojnë projektuesit, mbikëqyrësit, zbatuesit ose kolauduesit të punimeve të ndërtimit për të shkelur rregullat të cilat garantojnë kryerjen e ndërtimeve në përputhje me ligjin, dokumentet e planifikimit, standardet profesionale në fuqi ose në kundërshtim me lejen e zhvillimit ose të ndërtimit, do të ketë dënime në proporcion me shkallën e dëmtimit.

Në ndryshimet e Kodit Penal të propozuara dhe të miratuara nga Qeveria, ka një ulje të dënimit të atyre rasteve kur ndërtimi pa leje bëhet për plotësimin e nevojave për strehim, nga një vit në tre muaj.

Fjala e plotë e ministres Etilda Gjoni.

Situata e krijuar nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të 26 Nëntorit të vitit të kaluar i cili mori tragjikisht jetë njerëzish dhe shumë të tjerë i la të pastrehë, pa një banesë apo me banesa të shkatërruara, në periudhën pas tërmetit e vendosi Qeverinë Shqiptare në pozitën që nga një anë të ndërtonte programin e rindërtimit por nga ana tjetër dhe përpara sfidës të evidentimit të përgjegjësisë ligjore.  Kjo situatë, na vendosi përpara një hendeku, ku nga njëra anë do të na duhej të merreshim jo vetëm me garantimin e jetës dhe strehimit të sigurt të të gjithë personave, banesat e të cilëve u shpallën të pabanuara apo të shkatërruara tërësisht, dhe nga ana tjetër do të na duhej të identifikonim përgjegjësit, barra e të cilëve iu faturua Qeverisë, barrë që po përballojmë edhe sot që flasim, ku rindërtimi po adreson problemet dhe hallet e çdo familje të prekur.  Identifikimi dhe kategorizimi sipas përgjegjësisë të subjekteve të masakrës së ndërtimeve jo cilësore të cilët kanë lloj – lloj emrash e që kur i kërkon, të dalin persona që janë jashtë shtetit apo individë që nuk figurojnë në asnjë organ ligj zbatues. Të projektuesve, zbatuesve, mbikëqyrësve dhe kolauduesve të tyre, të cilët kanë pasur detyrimin e ndjekjes të çdo rregulli ligjor në kryerjen e punimeve të ndërtimit, të zbatimit me përpikmëri të standardeve profesionale, të respektimit të të gjitha kushteve të lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit. Padyshim fatkeqësitë natyrore ne nuk mund t’i ndalim, por ka ardhur koha që këto fatura dëmesh të mos i paguaj qeveria por të gjithë ata që kanë përgjegjësi për cilësinë e ndërtimeve, për ndërtimet pa leje, pasi askush nuk mund të mendoje që është i paprekshëm apo të shpëtoj nga kjo papërgjegjshmëri direkte e punimeve pa asnjë kriter në dëm të qytetarit, duke i rrezikuar atij jetën dhe shëndetin.

Në kuadrin ligjor aktual  nuk  ekziston asnjë parashikim i posaçëm mbi humbjet njerëzore, pasojat e rënda në dëme materiale ose/dhe në cenimin e shëndetit të njerëzve të sjella nga veprimtaritë e paligjshme të ndërtimit. Për këtë arsye vijmë sot me ndërhyrjet në kodin penal me qëllimin e vetëm: garantimin e mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të personave si dhe pronës publike e private dhe përcaktimin e ndëshkimit të veprimeve që kryhen nga projektuesit, mbikëqyrësit, zbatuesit apo kolauduesit e punimeve të ndërtimit, shmangien dhe parandalimin në të ardhmen.

Më këto ndryshime synojmë forcimin e politikës penale në fushën e ndërtimeve pa leje;

– përcaktimin e përgjegjësive të subjekteve veprimet apo mosveprimet e të cilëve si në procesin e projektimit, mbikëqyrjes, zbatimit dhe kolaudimit të punimeve të ndërtimit sjellin pasoja të rënda deri në humbje jete.

– Përcaktimin e përgjegjësive të atyre që nuk kanë përmbushur apo kanë shmangur me dashje detyrimet ligjore të përcaktuara të posaçme që i përkasin fushës së ndërtimeve private dhe publike,

– apo atyre që  nxisin me apo pa shpërblim apo që detyrojnë projektuesit, mbikëqyrësit, zbatuesit, kolauduesit e punimeve të ndërtimit të shkelin rregullat që garantojnë kryerjen e ndërtimeve në përputhje me ligjin, me lejet përkatëse të zhvillimit e të ndërtimit, ashtu edhe me standardet profesionale

Në ndryshimet e Kodit Penal të propozuara dhe të miratuara nga Qeveria, ka një ulje të dënimit të atyre rasteve kur ndërtimi pa leje bëhet për plotësimin e nevojave për strehim sipas ligjit, nga një vit në tre muaj. Në këtë dispozitë ka një qartësim dhe definicion të qartë. Në paketën e ndryshimeve të Kodit Penal, është parashikuar një vepër penale e re, ajo e Shkatërrimit të ndërtesave dhe objekteve të tjera, me qëllimin për të rritur përgjegjshmërinë e subjekteve të cilat gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në fushën e ndërtimit të objekteve të caktuara, duhet të respektojnë me përpikmëri kushtet teknike dhe ligjore të ndërtimit të objekteve, duke iu referuar të gjitha proceseve dhe procedurave që përbëjnë në tërësi objektin e ndërtimit që garantojnë kryerjen e ndërtimeve në përputhje me ligjin, dokumentet e planifikimit, standardet profesionale në fuqi ose në kundërshtim me lejen e zhvillimit ose të ndërtimit. Masa e dënimit do të variojë sipas shkallës së dëmtimit. Po gjithashtu është parashikuar përgjegjësia penale për të gjithë ata subjekte që nxisin me ose pa shpërblim, ose detyrojnë projektuesit, mbikëqyrësit, zbatuesit ose kolauduesit të punimeve të ndërtimit për të shkelur rregullat të cilat garantojnë kryerjen e ndërtimeve në përputhje me ligjin, dokumentet e planifikimit, standardet profesionale në fuqi ose në kundërshtim me lejen e zhvillimit ose të ndërtimit, do të ketë dënime në proporcion me shkallën e dëmtimit.

Nëpërmjet këtyre rregullimeve ligjore të propozuara synohet sanksionimi në ligj jo vetëm i ndëshkimit por edhe mirëpërcaktimittë qartë të të gjitha përgjegjësive ligjore të subjekteve të ndërtimit për të garantuar jo vetëm në letra e dokumentacion, por për të garantuar edhe në çdo metër katror punimi të tyre, cilësi, rregullshmëri e standarde të punës të subjekteve në të ardhmen, në fushën e ndërtimit me qëllimin final mbrojtjen dhe garantimin e jetës së qytetarëve tanë. Ndryshimet e Kodit penal së bashku me paketën e në fushën e ndërtimit të miratuar pak muaj më herët do të jenë një bazë e qëndrueshme ligjore e plotë e cila saktëson përgejgjësitë ligjore penale dhe ato civile apo administrative të të gjithë zinxhirit të aktorëve të ndërtimit. Ndaj ju ftoj tí votoni këto ndryshime!

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA