Mbrojtja kërkon kohë/ Ish krerët e UÇK: Prokuroria nuk jep afat

17/12/2020 17:27

Në konferencën e mbajtur mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve, në Hagë, Prokuroria nuk dha asnjë datë për përfundimin e hetimeve, por kërkoi që ato të mos ndërpriten duke shtuar se dosjen do ta dorëzojnë në muajin korrik me kushtin që gjyqi të fillojë në shtator 2021.

Kjo u kundërshtua nga avokatët, sipas të cilëve një gjë e tillë nuk mundëson gjykim të drejtë. Prokurori Allan Tiger insistoi se është në interes të drejtësisë që hetimet të vazhdojnë siç tha ai, për shkak të paraqitjes së dëshmitarëve të cilët tani mund gjejnë kurajo për t’i dhënë informacionet e tyre si dhe gjetjes së disa të materialeve të rëndësishme që sipas tij kanë qenë të fshehura. Tiger nuk i dha gjyqtarit një datë për fundin e hetimeve e kjo sipas tij kjo nuk ndikon negativisht në përgatitjen e një gjykimi të shpejtë.

Mbrojtja e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë, edhe një herë ka kërkuar që gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të fillojë pas 18 muajsh, përkatësisht në verë të vitit 2022.”Më shumë se 18 muaj duhen për të zhvilluar hetime në këtë rast. Ky është realiteti”, tha avokati i Hashim Thaçit, David Hooper. Prokuroria ka deklaruar se deri më tani i ka dorëzuar mbrojtjes më shumë se 1,300 materiale. Edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, deklaroi se periudha prej 18 muajsh është e shkurtër. Ai ia ka kujtuar gjykatës se në Tribunalin Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë në Hagë, që nga paraqitja e parë e të akuzuarve në gjykatë dhe deri në fillimin e gjykimit është pritur deri në tre vjet e gjysmë.

Top Channel