Mbledhja e gjashtë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, çfarë u diskutua

17/12/2020 17:41

Në datën 17 dhjetor 2020, Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave (KKSP) zhvilloi mbledhjen e tij të gjashtë, nën drejtimin e Kryetares së këtij Komiteti, zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë.

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, kjo mbledhje u mbajt virtualisht. Të pranishëm ishin anëtarët e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave si, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe Kryetari i Komitetit të Pagesave pranë kësaj shoqate, përfaqësues nga Kryeministria, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), aktorë të tregut etj. Gjithashtu, me qëllim mbështetjen e tematikave të diskutuara gjatë mbledhjes, të pranishëm ishin dhe përfaqësues nga Banka Botërore, SWIFT, kompania TIETO dhe CBI S.c.p.a.

Në fjalën e saj hyrëse, Kryetarja e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, zj. Minxhozi, falënderoi institucionet anëtare për përpjekjet dhe arritjet e vazhdueshme, si dhe të ftuarit në takim, të cilët me prezantimet e tyre do të ndihmonin në arritjen e objektivave të KKSP-së. Në vijim, zj. Minxhozi bëri një përmbledhje të arritjeve të deritanishme si dhe theksoi rëndësinë që ka marrë Strategjia Kombëtare e Pagesave me Vlerë të Vogël, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë. Kryetarja u ndal edhe në nevojën e zbatimit në praktikë të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, si një nga masat dhe arritjet kryesore të strategjisë. Gjithashtu, ajo vuri në dukje nevojën për krijim dhe përmirësim të infrastrukturave si InstantPayment dhe procesimit të kartave, si dhe promovimin e edukimit financiar si një mekanizëm i rëndësishëm për arritjen e objektivave të rritjes së përfshirjes financiare të popullsisë dhe zgjerimit të përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.

Në përmbushje të objektivave të përbashkët të institucioneve pjesëmarrëse, të miratuar nëpërmjet Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023), mbledhja e gjashtë filloi me një prezantim nga zj. Ledia Bregu, Drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, në përmbajtje të të cilit qëndronin arritjet e deritanishme, prioritetet në vijim, si dhe nevojat për rishikim të disa afateve për masat e parashikuara me qëllim krijimin e hapësirave të nevojshme për të mundësuar realizimin e tyre.

Në vijim, si një nga nismat më të rëndësishme të kësaj strategjie, u diskutua edhe zbatimi i ligjit 55/2020, datë 30.4.2020 “Për shërbimet e pagesave” dhe hartimi i akteve nënligjore në zbatim të tij, nga Departamenti i Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë.

Mbledhja pasoi me prezantimet e të ftuarve të ndryshëm, të cilët përcollën eksperiencën e tyre në zbatimin e ligjit. Të ftuar për këtë qëllim ishin përfaqësues të SWIFT, të cilët prezantuan shërbimet e ofruara nga kjo kompani, të përdorura gjerësisht nga tregu bankar shqiptar, në lidhje me nevojat për komunikim të bankave dhe jobankave për OpenBanking dhe ApplicationProgrammingInterface(API). Gjithashtu, me interes ishte dhe prezantimi i TIETO dhe “CBI S.c.p.a.”, të cilët sollën këndvështrimin e tyre respektivisht si ofrues shërbimesh dhe operator i një API ndërbankar, në krijimin e një infrastrukture të përbashkët nga ana e institucioneve me qëllim përmbushjen e nevojave për zbatimin e ligjit dhe minimizimin e kostove për investim.

Gjatë mbledhjes, vëmendje iu kushtua nismës për zhvillimin e tregtisë elektronike në Shqipëri, ku me urdhër të Kryeministrit është ngritur Grupi i punës “Për hartimin e planit të veprimit për nxitjen e tregtisë elektronike”. Kryetarja e këtij Grupi Pune, zj. ArjanaDyrmishi, mbajti një prezantim për objektivat e Grupit të Punës dhe ndërlidhjen e tyre me objektivat e strategjisë.

Në mbështetje të këtyre nismave të përbashkëta u mbajtën edhe një sërë prezantimesh nga Banka Botërore dhe SWIFT në lidhje me InstantPayment, si një nga zhvillimet infrastrukturore të nevojshme dhe të parashikuara në planet e veprimit. Gjithashtu, në mbështetje të diskutimeve për kostot e pagesave me karta, operatori PAYLINK mbajti një prezantim mbi përfitueshmërinë që mund të ketë tregu shqiptar nga ekzistenca e një infrastrukture, që proceson pagesat me kartë, brenda vendit (SWITCH Kombëtar).

Në vijim të mbledhjes, ashtu si dhe në mbledhjen paraardhëse, vëmendje iu kushtua edukimit financiar, si një mekanizëm mjaft i rëndësishëm për të maksimizuar efektet e masave të ndërmarra në kuadër të inovacionit dhe promovimit të instrumenteve dixhitale financiare, përmes një sërë prezantimesh nga Banka e Shqipërisë, AMF dhe Shoqata Shqiptare e Bankave.

Më tej, çështjet e diskutuara u fokusuan mbi masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në lidhje me “Operacionalizimin e pjesëmarrjes së institucioneve financiare jobanka në sistemin AECH”. Kjo nismë vlerësohet të mbështesë ndjeshëm ndërveprimin e aktorëve të tregut dhe në një farë mënyre, të krijojë kushtet e nevojshme për të minimizuar marrëdhënien e ndërvarësisë së institucioneve financiare jobanka për anëtarësimin e tyre në sistemet e pagesave. Përtej prezantimit të këtyre masave, një prezantim me vlerë ishte edhe ai i përfaqësuesit të kompanisë SWIFT mbi shërbimet e ofruara nga kompania në lidhje me këtë kategori pjesëmarrësish.

Së fundi, mbledhja vijoi me masat e ndërmarra në lidhje me përballimin e kufizimeve në lëvizje, në kuadër të pandemisë COVID-19, të cilat në mënyrë të tërthortë mbështetën edhe promovuan përdorimin e pagesave elektronike në ekonominë shqiptare. Në këtë drejtim vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimeve të ndërmarra nga ana e AKSHI-t gjatë kësaj periudhe dhe problematikat e hasura, ku zj. Nevila Repishti,Drejtoreshë e Portalit Qeveritar e-Albania, informoi pjesëmarrësit mbi masat e marra me qëllim dixhitalizimin e shërbimeve të qeverisë me fokus pagesat, si dhe nevojat për bashkëpunim të mëtejshëm me bankat.

Në përfundim të mbledhjes, duke u bazuar në diskutimet e mbledhjes, Kryetarja e Komitetit rekomandoi krijimin e disa grupeve të punës, me qëllim adresimin konkret të çështjeve të ngritura në mbledhje, ato në lidhje me edukimin financiar dhe pagesat me kartë, si nga pikëpamja e reduktimit të kostove të mbartura nga tregtarët, ashtu edhe në lidhje me procesimin e tyre.

Top Channel