KLP mbledhje/ Fatjona Memçaj komandohet si ndërlidhëse me EUROJUST, miratohet lista e kandidatëve për Drejtues Prokurorie

17/12/2020 18:32

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line. Në respektim të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, mbledhja është zhvilluar në prani të gjithë anëtarëve, si dhe të përfaqësueseve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Gjatë mbledhjes plenare, Këshilli shqyrtoi çështjet si vijon:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi miratimin e rregullores “Për mënyrën e kompensimit për orët shtesë të kryera nga nëpunësit civilë të prokurorisë” duke përfshirë opinionin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Me kërkesë të eprorit të drejtpërdrejtë dhe me miratimin me shkrim të drejtuesit të prokurorisë, nëpunësit mund t’i kërkohet të kryejë orë shtesë.
Nëpunësit civilë të prokurorisë që ushtrojnë detyrën e tyre jashtë orarit zyrtar, në ditët e pushimit dhe të festave zyrtare përfitojnë kompensim me pushim dhe, kur është e pamundur dhënia e pushimit për orët shtesë në punë, ata kanë të drejtë të kompensohen financiarisht mbi pagën normale të tyre. Konkretisht, për çdo orë shtesë të kryer, nëpunësit civilë të prokurorisë duhet të kompensohen me pushim të barabartë me orët shtesë plus 25 për qind të tyre kur orët shtesë janë realizuar në ditë normale pune dhe me 50 për qind të tyre kur orët shtesë janë realizuar në ditë pushimi, ditë feste zyrtare apo nga ora 22.00 – 06.00 në ditët normale të punës.

Në vijim, Këshilli miratoi raportet për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve Enklid Gjini, Alma Braho, Dritan Gripshi dhe Florian Bonjaku. Një kopje e këtyre raporteve i dërgohet menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Me propozim të Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli vendosi me shumicë votash, miratimin e veprimtarisë jashtë funksionit (mësimdhënie) pranë Kolegjit Universitar “Bedër” Tiranë, si lektor me kohë të pjesshme, në masën 2 (dy) orë në javë, jashtë orarit të punës, në lëndën “Procedurë Penale e avancuar me praktikë gjyqësore”, për vitin akademik 2020-2021 për prokurorin Adnan Xholi dhe miratimin e veprimtarisë jashtë funksionit (mësimdhënie) si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, për vitin akademik 2020-2021, në lëndën “Procedurë penale e avancuar”, për kategorinë “seminare”, gjithsej 60 orë të cilat do të zhvillohen on-line, të ndara 4 orë në çdo javë, veprimtari e cila do të kryhet jashtë orarit të punës për prokuroren Eliora Elezi.

Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi unanimisht për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër të z. Rifat Kojku; në pozicionin Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të z. Anton Martini; në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat të z. Abaz Muça pёr njё periudhё tjetër tre mujore nga data 19.12.2020 – 18.03.2021.

Pasi u njoh me relacionet të përgatitura nga Komisioni i Vlerësimit, Këshilli vendosi me 7 vota pro dhe 2 kundër ( znj. Esmeralda Keshi dhe z. Kostaq Beluri) miratimi i vendimit për përfundimin e procedurave për verifikimin e pasurisë dhe figurës dhe ndalimi të kandidimi për z. Shiqiri Manjani për të ndjekur programin e formimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës në vitin akademik 2020-2021”.
Me 5 vota pro dhe 4 kundër ( znj. Esmeralda Keshi, z. Gent Ibrahimi, z. Bujar Sheshi dhe z. Kostaq Beluri ), Këshilli miratoi vendimi për përfundimin e procedurave për verifikimin e pasurisë dhe figurës dhe ndalimi të kandidimi për znj. Anjeza Kalanxhi për të ndjekur programin e formimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës në vitin akademik 2020-2021. Vendimet e arsyetuara do t’iu njoftohen kandidatëve brenda 5 ditëve nga data e shpalljes, 17.12.2020.

Me anë të një shkrese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me objekt “Mbi përcaktimin e numrit të prokurorëve të prokurorisë së posaçme”, kjo prokurori i kërkon Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të shprehet në formë opinioni në lidhje me numrin e prokurorëve në këtë prokurori. Në këtë shkresë dhe në materialin shtesë pasqyrohen dhe statistika të hollësishme të ngarkesës në punë të prokurorëve të kësaj prokurorie. Pasi u njoh me relacionin e përgatitur nga Komisionin për Zhvillimin e Karrierës, ku vlerësohet që ngarkesa e prokuroreve te Prokurorisë së Posaçme është e madhe dhe rritja e numrit të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme nga 15 ne 20, do të ulte ngarkesën në punë si dhe njëkohësisht do të siguronte një akses më të mirë të shtetasve në shërbimin e prokurorisë duke rritur edhe cilësinë e punës, Këshilli vendosi me 8 vota pro dhe 1 kundër ( z. Kostaq Beluri) për dhënien e një opinioni pozitiv për rritjen e numrit të prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme nga 15 ne 20 prokurore.

Pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë “Mbi komandimin e magjistratit në pozicionin vakant të shërbimit civil Përgjegjës në sektorin e së Drejtës Penale, në Drejtorinë e së Drejtës Civile dhe Penale, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit dhe harmonizimit të legjislacionit, Këshilli vendosi me 5 vota pro dhe 4 kundër ( znj. Nurihan Seiti, z. Alfred Balla, z. Gent Ibrahimi dhe z. Kostaq Beluri) për shpalljen e thirrjes për shprehje interesi përmes procedurës së komandimit të prokurorëve për këtë pozicion për një afat 2 vjeçar. Shprehja e interesit duhet të paraqitet jo më vonë se 2(dy javë) nga njoftimi për shprehjen e interesit në faqen zyrtare të Këshillit.

Më datë 19.11.2020, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shpallur në faqen zyrtare 28 vendet për Drejtues Prokurorie pranë Gjykatës së Apelit dhe Shkallës se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm si më poshtë. Mbas mbarimit të afatit ka rezultuar se i janë përgjigjur thirrjes për kandidim gjithsej 30 prokurorë për 21 zyra prokurorie, nga të cilat 16 Prokurori pranë Gjykatave të Shkallës së Parë dhe 5 Prokurori pranë Gjykatave të Apelit. Pasi shqyrtoi dokumentacionin e sjellë nga kandidatët dhe bëri verifikimet e nevojshme, Komisioni i Zhvillimit të Karrierës ka vendosur shkualifikimin e kandidatëve për drejtues në Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit të cilët vijnë nga Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë, respektivisht : z. Lorenc Mërkuri që kandidon për Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër; znj. Elidiana Kaso, që kandidon për Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër; z. Lazër Çardaku që kandidon për Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër. Komisioni vlerësoi se këta kandidatë nuk plotësojnë kushtin ligjor, 4 vjet eksperiencë në nivelin për të cilin kandidojnë, pra në atë të Apelit.

Gjithashtu, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës vendosi skualifikimin e katër kandidatëve: z.Altin Binaj kandidat për drejtues për Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë; z. Pelivan Malaj kandidat për drejtues për Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë; znj. Marsida Frashëri për kandidimin për Drejtuese në Prokuroritë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës; z. Artan Shtrungza kandidat për drejtues për Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë;

Komisioni për Zhvillimin e Karrierës, vlerësoi se aplikimi i tyre (në rrugë elektronike dhe postare) ka ardhur jashtë afateve të përcaktuara në shpalljen e interesit, që ka qenë data 03.12.2020 ora 24.00.

Në përfundim të procedurës kualifikuese, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës, vendosi kualifikimin e kandidatëve sipas listës më poshtë:

• Elizabeta Imeraj për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Tiranë
• Anita Jella për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Tiranë Durrës
• Kreshnik Ajazi për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Elbasan
• Violeta Shkurta për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Fier
• Dhorina Theodhori për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Korçë
• Gentian Stoja për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Korçë
• Petrit Çano për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Krujë
• Rita Gjati për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Krujë
• Rita Gjati për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Kukës
• Farie Vata për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Kukës
• Arben Dyla për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Lushnje
• Erion Shehaj për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Lezhë
• Abaz Muça për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Mat
• Dorina Bejko për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Pogradec
• Lorenc Mërkuri për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Sarandë
• Sali Hasa për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Sarandë
• Albert Murcaj për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Shkodër
• Arben Smaçi për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Shkodër
• Marsida Frashëri për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Shkodër
• Erion Çela për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Vlorë
• Aurel Zarka për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Vlorë
• Albert Kuliqi për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Vlorë
• Arben Nika për Drejtues Prokurorie në Shkallë të Parë Kurbin
• Genti Xholi për Drejtues Prokuroria e Apelit Tiranë
• Ludovik Doda për Drejtues Prokuroria e Apelit Durrës
• Gjon Fusha për Drejtues Prokuroria e Apelit Gjirokastër

Janë 18 prokurori sipas listës më sipër ku vazhdon procedura e kandidimit.

Ndërkohë në 10 prokurori ku ose nuk ka pasur kandidatë, ose janë skualifikuar kandidatët, në mbështetje të nenit 90 të Kodit të Procedurave Administrative, përfundon procedura e ngritjes në detyrën e drejtuesit.

Prokuroritë ku përfundon procedura e ngritjes në detyrë në pozicionin e Drejtuesit janë si më poshtë:

• Prokuroria pranë Gykatës së Apelit Shkodër
• Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Korçë
• Prokuroria pranë Gykatës së Apelit Vlorë
• Prokurioria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër
• Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Përmet
• Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Gjirokastër
• Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Pukë
• Prokuroria pranë Gjyatës së Shkallës së parë Kavajë
• Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Berat
• Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tropoje

Me 8 vota pro dhe 1 kundër (z. Gent Ibrahimi), Këshilli vendosi miratimin e listës së kandidatëve për Drejtues Prokurorie që plotësojnë kushtet për kandidim, përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrën e drejtuesit në prokuroritë ku nuk ka kandidatë të kualifikuar dhe miratimin e vendimeve të ndalimit të kandidatit për vazhdimin e mëtejshëm të procedurës së ngritjes në detyrë.

Në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe EUROJUST, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi komandimin e znj. Fatjona Memçaj prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, në pozicionin e prokurorit ndërlidhës pranë EUROJUST. Periudha e komandimit do të jetë 2,6 (dy vjet e gjashtë muaj) duke fillua nga 1 Janar 2021.

Këshilli vendosi për shtyrje e vendimit për shfuqizimin e pjesshëm të udhëzimit të Prokurorit të Përgjithshëm mbi ankimin e prokurorit Albert Kuliçi kundër Udhëzimit nr.12, datë 20.07.2020 të Prokurorit të Përgjithshëm “Mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokuroreve dhe drejtuesve të prokurorisë, informimin, transparencën dhe garantimin e pavarësisë, në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm” për mbledhjen e radhës së Këshillit. Gjithashtu, miratimin e Planit Strategjik të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2021-2024 është shtyrë për mbledhjen e ardhshme në pritje të opinionit të Ministrisë së Drejtësisë mbi këtë dokument.

Top Channel