I dyshuari terrorist i Al-Shababit do të përballet me drejtësinë amerikane

17/12/2020 03:25

Një operativ i grupit terrorist al-Shabab, i akuzuar për komplot për të kryer sulme si ai i 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, është dërguar në Nju Jork për t’u përballur me akuzat për terrorizëm, njoftoi të mërkurën Departamenti i Drejtësisë.

Shtetasi kenian Cholo Abdi Abdullah u transferua të martën nga Filipinet ku ndodhet në paraburgim që nga arrestimi tij në korrik të vitit 2019. Filipinet e dorëzuan atë tek autoritetet amerikane të martën. Ai akuzohet se kishte komplotuar për të rrëmbyer një avion pasagjerësh dhe për ta përplasur atë në një ndërtesë në Shtetet e Bashkuara. Si pjesë e komplotit të drejtuar nga ushëheqës të lartë të organizatës al-Shabab, i akuzuari Abdullah dyshohet se u trajnua për pilot në Filipine.

Ndaj tij janë ngritur gjashtë akuza që u bënë të njohura të mërkurën dhe pritet t’i paraqiten një gjykatësi federal në Nju Jork. Mes akuzave ndaj tij përfshihen edhe mbështetja materiale për një organizatë të huaj terroriste, komploti për të vrarë shtetas amerikanë dhe për të rrëmbyet dhe shkatërruar një avion. “Kjo çështje, në të cilën përfshihet komploti për të përdorur një aeroplan për të vrarë viktima të pafajshme, na kujton kërcënimin vdekjeprurës që terroristët radikalë islamistë vazhdojnë të përbëjnë për vendin tonë,” tha përmes një deklerate ndihmës prokurori i përgjithshëm John Demers. “Pavarësisht se ku gjenden terroristët që planifikojnë të vënë në shënjestër amerikanët, ne do t’i identifikojmë ata dhe sjellim para drejtësisë.”

Prokurorët thonë se komploti në fjalë, ishte pjesë e një fushate më të gjerë nga organizata al-Shabab me qendër në Somali, që është filiali kryesor i al-Kaidës në Afrikën Lindore, për të shënjestruar amerikanët pas vendimit të Shteteve të Bashkuara në vitin 2018 për të zhvendosur ambasadën e saj në Izrael në Jeruzalem. Në janar të vitit 2019, grupi ndërmori një sulm vetvrasës në një hotel në Nairobi të Kenias, duke vrarë 21 njerëz, përfshi amerikanë. Kohët e fundit, grupi ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj objekteve ushatarake amerikane në Kenia dhe Somali.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Abdullah shkoi në Filipine që të trajnohej për pilot me urdhër nga komandanti i organizatës al-Shabab, përgjegjës për sulmin në Nairobi. Ndërsa po ndiqte një shkollë aviacioni të paidentifikuar, Abdullah zhvilloi kërkime mbi “mënyrat dhe mjetet për të rrëmbyer një avion komercial për të kryer një sulm”, thuhet në aktakuzë. Sipas pretendimeve, ai ka bërë kërkime në internet lidhur me ndërtesën më të lartë në një qytet të madh amerikan, rrëmbimin e avionëve dhe si të pajisej me vizë amerikane, thuhet në aktakuzë./VOA

Top Channel