Hetimi për origjinën e virusit/ Nis pas 1 viti në Kinë ku u shënua rasti i parë, OBSH do të dërgojë 10 shkencëtarë

17/12/2020 02:20

Një ekip prej 10 shkencëtarësh ndërkombëtarë do të udhëtojë drejt qytetit kinez të Wuhan muajin e ardhshëm për të hetuar origjinën e Covid-19. Njoftimin e bëri OBSH, e cila theksoi se ka negociuar prej muajsh për këtë qëllim.

Kina tani duket se nuk ka kundërshtuar hetimin e pavarur. Virusi mendohet të ketë ardhur nga një treg i kafshëve të gjalla në qytet. Por kërkimi për burimin e sëmundjes që gjunjëzoi botën ka shktkuar mjaft tensione, sidomos me SHBA-në. Administrata e Presidentit Donald Trump e ka akuzuar Kinën se po përpiqet ta fshehë shpërthimin fillestar të sëmundjes.

Një biolog i ekipit që do të verifikojë tani origjinën e pandemisë i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se OBSH nuk kërkon të drejtojë gishtin e fajit nga askush, por më shumë po përpiqet të parandalojë situata të ngjashme në të ardhmen. “Në të vërtetë kjo nuk ka të bëjë me gjetjen e një fajtori, por me përpjekjen për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe pastaj të kuptojmë nëse, bazuar në ato të dhëna, mund të përpiqemi ta reduktojmë rrezikun në të ardhmen”, tha Fabian Leendertz, nga Instituti Robert Koch.

Misioni pritej të zgjasë katër apo pesë javë. Në ditët e para të epidemisë, virusi u gjurmua në tregun e kafshëve të gjalla në Wuhan, dhe u mendua se ai ishte pikërisht ku Sars-Cov 2 bëri kapërcimin tek njerëzit, por ekspertët tani besojnë se virusi në atë treg thjesht mund të jetë amplifikuar. Raportet në mediat kineze kohët e fundit kanë sugjeruar se Covid-19 mund ta ketë origjinën jashtë Kinës.

Top Channel