Deputeti Ralf Gjoni

Deputeti Ralf Gjoni gjatë seancës së sotme parlamentare që po mbahet, ka debatuar me nënkryetaren e Kuvendit, Vasilika Hysi.

Fillimisht Gjoni ka ngritur problemin e votimit të vetëm 1 emri nga kandidatët për Gjykatë Kushtetuese, atë të Altin Binajt. Ai thotë se kjo procedurë është në shkelje të hapur të ligjit pasi KED duhet të propozonte 3 emra.

“Sipas Kushtetutës KED duhet të dërgojë një listë me 3 emra. Unë kam një fletë votimi vetëm me 1 emër. Kushtetuta më detyron të zgjedh 1 nga 3 emrat në listë. Dua të di se pse është futur një fletë e tillë votimi me 1 emër. Pse neve sot duhet të votojmë siç bëmë përpara 1 viti. Dua të votoj realisht për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese por nuk dua ta bëj në kundërshtim me ligjin. Dua ta di kush e ka futur në votim“,  tha Gjoni.

Ndërsa nënkryetarja Vasilika Hysi tha se në kushtet që ndodhet sistemi i drejtësisë për bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti si dhe ndikimit nga faktorët ndërkombëtarë është vlerësuar që të kandidojë dhe 1 emër i vetëm.

“Kuvendi i Shqipërisë funksionon sipas kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. Kemi parasysh ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Kandidatura për në organet kushtetuese paraqiten në seancë nga shkrim me jo më pak se 28 deputetë. Keni një kandidaturë që është votuar në Komisionin e Ligjeve. Bëmë një seancë dëgjimore dhe Komisioni i Ligjeve për herë të parë i dha pëlqimin kandidaturës. Kuvendi i Shqipërisë e ka rishpallur vendin e lirë për këtë pozicion 4 herë. 3 herët e para nuk ka mundur të përzgjedhë 1 kandidatë. Kuvendi i Shqipërisë e shpalli për herë të katërt dhe KED propozoi 1 kandidat. Vlerësimi i të gjitha kritereve për Altin Binajn ka qenë i lartë pasi bëhet fjalë për një kandidat karriere. Është mbajtur nën zbatim dhe opinioni i Venecias. Kuvendi ka vlerësuar se funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është jetike, kërkohet nga të gjitha faktorët ndërkombëtar. Në këto rrethana është vlerësuar që të kandidojë dhe një kandidat. Nëse dëshirojmë që të kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale ne duhet të japim votën dhe ta votojmë kandidatin i cili është në rastet e pakta që mori votë unanime”, tha Hysi.

Në replikë, Gjoni deklaroi se kjo është shkelje e hapur duke ngritur dhe problemin se në 12 muaj nuk gjenden dot 3 emra për të garuar në Kushtetuesen.

“Në kushtet e jashtëzakonshme, ku në 12 muaj nuk gjenden dot 3 emra që të garojnë për Kushtetuesen, meqë gjykata nuk ekziston, hajde të thyejmë ligjin. Më jepni dhe mua të drejtën tani, të dal te rruga marr 2 qytetar dhe shkruajmë emrin. Po e kthejmë në një treg të shëmtuar. Unë dua që të funksionojnë Gjykata e Lartë e ajo Kushtetuese dhe SPAK. Unë ndjej peshën e përgjegjësisë që sot nuk më jepet e drejta për të votuar 1 emër nga 3 të KED. Në 1 vit ne nuk gjejmë dot 3 veta për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Nuk më jep shpresë që Shqipëria nuk do ketë defakto drejtësi. Po çimentoni një të ardhme të pasigurt të këtij vendi”, tha Gjoni.

Top Channel