Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes një skandal në Kukës, ku mbetjet spitalore të personave që bëjnë tampone, apo edhe të të prekurve nga COVID 19, hidhen në derën e qendrës shëndetësore. Në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën disa foto dhe video të disa veshjeve që përdor personeli mjekësor që bën tampone.

Këto mbetje ishin hedhur në koshin e plehrave pak metra larg kësaj qendre shëndetësore, ndërsa disa prej tyre ishin hedhur edhe anës koshit në ambient të hapur. Pas këtij denoncimi, gazetarët e emisionit investigativ udhëtuan në Kukës për të vëzhguar pikërisht këtë problematikë. Për disa ore me radhë, kamera e Fiksit qëndroi në hyrje të kësaj qendre për të parë nëse këto mbetje hidheshin apo jo në koshat e plehrave. Dhe, nga vëzhgimi rezultoi se disa infermiere, apo sanitare, i hedhin mbetjet e qendrës shëndetësore në koshat e plehrave.

Pas këtij konstatimi, gazetarët shkojnë në këtë qendër dhe pyesin drejtoreshën për këtë problematikë. Drejtoresha tha se është e re në këtë detyrë, ndërsa ka mësuar se kjo qendër ka një kontratë për asgjësimin e mbetjeve. Fiksi i tregon edhe fotot dhe videot e veshjeve anti Covid, ndërsa drejtoresha pohon menjëherë se “nuk janë tonat”. Ajo, pasi i sheh, pohon menjëherë se janë të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Kukës, e cila bën tampone në këtë qytet. Pikërisht, njerëzit e kësaj njësie janë edhe të autorizuar të kenë të tilla veshje. “Absolutisht që nuk janë tonat. Janë të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor. Ata bëjnë tampone” pohon drejtoresha.

Fiksi shkon edhe te kjo njësi, duke i treguar fotot dhe videot nga mbetjet e gjetura. Shefja e Epidiomologëve pranon se veshjet në kazanët e plehrave janë të njëjta me ato që përdor personeli i saj. Ajo thotë se ngjarja do të verifikohet dhe këto veshje “nuk duhet të ishin atje”. Fiksi e pyeti shefen nëse NJVKSH Kukës ka apo jo kontratë për asgjësimin e këtyre mbetjeve. Ajo pohoi se aktualisht kjo njësi nuk ka një kontratë dhe mbetjet i dorëzon te Qendra Shëndetësore Kukës. Pavarësisht se ka dy laboratorë, apo edhe njësi gjurmimi për Covid 19, Njësia i dërgon vetëm
“verbalisht” këto mbetje te qendra shëndetësore. Fizikisht, këto mbetje nuk dërgohen në këtë qendër, por përfundojnë në koshat e plehrave të qytetit, duke rrezikuar jetët e dhjetëra banorëve. Madje, duke u bërë vatër tepër e rrezikshme e përhapjes së pandemisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA