BE marrëveshje me Novavax, 200 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19

17/12/2020 15:10

Bashkimi Evropian në kuadër të punimeve për blerjen e vaksinave kundër COVID-19 do të nënshkruajë një marrëveshje me kompaninë Novavax për blerjen e 200 milionë dozave.

Komisioni Evropian njoftoi se kanë përfunduar bisedimet e zhvilluara me kompaninë amerikane farmaceutike Novavax për blerjen e vaksinave kundër COVID-19.

Në deklaratë thuhet se pasi vaksina të testohet se është e sigurtë dhe efektive vendet anëtare të BE-së do të blejnë 100 milionë doza të vaksinës që po zhvillohet nga Novavax dhe se në marrëveshje përfshihet edhe alternativa për blerjen e 100 milionë dozave shtesë në rast se kërkohet.

BE-ja më parë ka bërë marrëveshje për blerjen e 400 milionë dozave të vaksinës nga kompania AstraZeneca, 300 milionë nga Sanofi-GSK, 400 milionë nga Johnson & Johnson, 300 milionë nga Pfizer dhe BioNTech, 405 milionë nga CureVac dhe 160 milionë nga Moderna.

Bashkë me 200 milionë doza të Novavax, BE-ja me marrëveshjet e nënshkruara deri më sot ka mundësinë për blerjen e gjithsej 2 miliardë e 165 milionë dozave të vaksinës.

BE-ja për arsye komerciale nuk ndan informacione lidhur me çmimet e vaksinave në fjalë.

Top Channel