Barcelona merr oksigjen në kampionatin spanjoll në ndeshjen ndaj Real Sociedad-it, një sfidë kjo që në të vërtetë ishte e vlefshme për javën e 19-të të La Liga-s, por që u parapri pasi në fillim të vitit të ardhshëm do të luhet Superkupa e Spanjës.

Në Camp Nou, skuadra e Koeman-it iu imponua baskëve që vinin si kryesuesit e kampionatit 2-1 dhe për herë të parë që nga starti i kampionatit regjistroi dy fitore radhazi dhe tani e sheh veten në vendin e pestë. Gjithçka ndodhi në pjesën e parë të sfidës. William Jose i dha avantazhin Sociedad, por pas vetëm pak minutash Barcelona barazoi me Jordi Albën në 1-1. Më pas ishte Frenkie De Jong, që gjeti golin që në fillim u anulua nga arbitri, por u konfirmua nga sistemi VAR me holandezin që e çoi rezultatin  në 2-1.

Në Gjermani, Bayerni vuajti por arriti të fitojë ndaj Wolfsburgut 2-1 duke mbajtur hapin e Bayer Leverkusenit. Kampionët e Gjermanisë e panë shumë shpejt veten në vështirësi teksa panë që Wolfsburg të merrte avantazhin që në minutën e 5 me anë të Philip. Ai që mendoi të nxjerrë Bayernin nga telashet ishte i zakonshmi Robert Lewandowski, sulmuesi polak barazoi rezultatin në 1-1 në minuta e fundit të pjesës së parë dhe në fillimin e së dytës shënopi golin që përmbys rezultatin në 2-1 për bavarezët që këtë fundjavë kanë sfidën direkte me Leverkusen në BayArena.

Në Ligue 1, Paris Saint Germain-i arriti të fitojë 2-1, por pasojat e humbjes ndaj Lionit u panë te skuadra e Tuchel sidomos në pjesën  e parë. kampionët e Francës i shfaqën diferencat në kualitete në fushën e lojës në pjesën e dytë. Mbappe fitoi një 11 metërsh pas faullit të shkaktuar nga Gravillon, që u ndëshkua me karton të kuq me Mbappe që nuk gaboi nga pika e bardhë, ndërsa dyfishimi i rezultatit erdhi në minutën e 61-të nga Moise Kean. Me këtë fitore, PSG kalon Lyon-in dhe ngjitet në vendin e dytë, 1 pikë prapa Lille

 

Top Channel