Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar zotin Joe Biden për fitoren e zgjedhjeve presidenciale amerikane që u mbajtën në nëntor.
Kremlini tha të martën se Presidenti Putin i uroi zotit Biden “çdo sukses” dhe shprehu besimin se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund të “ndihmojnë për të zgjidhur shumë probleme dhe sfida me të cilat përballet bota.”
Udhëheqësi rus shtoi se ai ishte “i gatshëm për bashkëveprim dhe kontakt” me zotin Biden. Udhëheqës të shumtë botërorë i kanë telefonuar zotit Biden për të ofruar urimet e tyre dhe për të diskutuar bashkëpunimin me administratën e re amerikane e cila do të vijë në pushtet në janar.
Zoti Putin ishte shprehur se do të priste deri sa rezultati i zgjedhjeve amerikane të zyrtarizohej, gjë që ndodhi të hënën, ndërsa Kolegji Elektoral konfirmoi fitoren e zotit Biden përballë Presidentit Donald Trump.
Top Channel