I pyetur për akuzat e kryeministrit Edi Rama se Presidenti Ilir Meta fshihet pas protestave kundër vrasjes së Klodian Rashës nga policia, ai tha se “shqiptarët nuk kanë në krye të shtetit një tinzar e as palaço”.
“Qytetarët e Shqipërisë e dinë shumë mirë se nuk kanë në krye të shtetit një tinzar dhe as palaço. Kanë një president që kur e thotë një fjalë, e çon deri në fund. Ka bërë manifestim me mimoza, model. Presidenti i ka bërë një thirrje popullit dhe populli ka qenë aty. Kreu i shtetit nuk merret me maskarada të tilla. Bashkohem me organizatat e huaja që dënojnë dhunën dhe intimidimin, madje edhe ndaj mediave”, tha Meta.
Meta tha se në rast se do ketë një tjetër manifestim të thirrur nga presidenti, ai do jetë i fundit dhe do t’i japë fund regjimit të dhunës.
“Organizatat ndërkombëtare kanë shprehur shqetësim për dhunën ndaj të miturve. Nëse do ketë manifestim nga presidenti, do jetë manifestimi i fundit kundër dhunës, për t’i dhënë fund regjimit të dhunshëm ndaj të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Buxheti duhet të reflektohet, sepse është katastrofike.
Nuk mbështeten me buxhetin e ri as qytetarët, as bizneset. Mos harrojmë se më shumë se 50 mijë qytetarë kanë humbur punën gjatë pandemisë dhe të mos ikin edhe këta. Duhet të mos dyfishohen pagesat ndaj koncesioneve. Qeveria të reflektojë, që të zbutet frustrimi i shoqëror, sepse nuk i shërben stabilitetit të vendit”, u shpreh Presidenti.
Top Channel