Përplasje me OKB, NATO: Ne do të mbetemi aleancë atomike!

16/12/2020 20:57

Një deklarate e përbashkët e vendeve anëtarë të Nato-s del në përfundimin se traktati i OKB-së për Ndalimin e Armëve Bërthamore nuk e pasqyron mjedisin ndërkombëtar të sigurisë, i cili po bëhet gjithnjë e më sfidues, e po kështu, bie ndesh me rregulloret ekzistuese për çarmatimin dhe mospërhapjen e armëve bërthamore.

Nisur nga kjo, aleanca më e madhe ushtarake e globit e ka ritheksuar refuzimin e traktatit. Marrëveshja e kritikuar nga aleanca e ka burimin në fushatën ndërkombëtare për çarmatimin bërthamor në Gjenevë. Ajo u miratua në korrik 2017 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me votat e 122 vendeve. Më shumë se 80 vende kanë aderuar në traktat. Pasi Hondurasi e ratifikoi në tetor traktatin si shteti i 50-të, ai mund të hyjë në fuqi 90 ditë më vonë – në 22 janar 2021.

Në dokument, i cili është i detyrueshëm sipas ligjit ndërkombëtar, nënshkruesit marrin përsipër që “asnjëherë, në asnjë rrethanë”, të mos zhvillojnë, prodhojnë, marrin, posedojnë ose strehojnë armë bërthamore. Shtetet e NATO-s vërtet thonë se edhe ato e mbështesin objektivin e një bote pa armë bërthamore. Por nga ana tjetër i mëshojnë idesë se mënyra e vetme e besueshme për çarmatimin bërthamor është Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, ndërsa Traktati i ndalimit të OKB-së konsiderohet se nuk ka mekanizma rigorozë dhe të qartë të verifikimit. Për më tepër, atë nuk e ka nënshkruar asnjë shtet që ka armë bërthamore. Në deklaratë theksohet se për sa kohë që ekzistojnë armë bërthamore, NATO mbetet një aleancë atomike.

Top Channel