Kosovë, vaksinim në pranverë/ 360 mijë doza do jenë falas

16/12/2020 12:24

Kosova pritet të sigurojë falas 360 mijë vaksina, kurse pjesën tjetër do ta blejë. Ndërkohë zyrtarë të OBSH-së parashikojnë që procesi i vaksinimit në Kosovë nuk mund të fillojë para stinës së pranverës.

Për festat e fundvitit, Kosova do të ketë masa të reja për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ndonëse autoritetet nuk i kanë përcaktuar ende ato. Kryeministri Hoti tha se institucionet janë duke u përgatitur për vendosjen e masave të nevojshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit gjatë festave të fundvitit.

“Institucionet shëndetësore do të mbesin të mobilizuara. Po përgatisim skenarët për masat e nevojshme për festat e fundvitit kur ka frekuentim më të madh të qytetarëve, përfshirë edhe ardhjen e bashkatdhetarëve”, shkroi Hoti në Facebook.

Situata në Kosovë, javët e fundit ka qenë kritike për shkak të numrit të madh të infektimeve dhe vdekjeve. Vetëm dy ditët e fundit numri i infektimeve shënoi rënie. E ndërsa disa vende tashmë kanë filluar marrjen e vaksinës anti-Covid dhe disa të tjera paralajmërojnë së shpejti, Kosova po punon për ti siguruar ato.

Hoti thotë se Kosova është pjesë e Covax dhe pret të marrim vaksina për 20% të popullsisë. Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë është në kontakt me kompaninë prodhuese të vaksinës, si dhe po punojmë me vendet partnere për të kërkuar mbështetje direkte nga to – thotë Hoti. Kosova shpreson më së shumti te Bashkimi Evropian. Unioni ka premtuar se do ta ketë prioritet ndihmën ndaj vendeve të Ballkanit perëndimor me vaksina. Por, ekspertët në Kosovë thonë se në çdo rast, procesi i vaksinimit të popullatës nuk mund të fillojë në Kosovë para pranverës.

Top Channel