Lideri i shumicës republikane në senatin amerikan, Mitch McConnell, uroi presidentin e zgjedhur demokrat Joe Biden dhe zëvëndespresidenten e zgjedhur Kamala Harris për fitoren në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke i dhënë fund kështu heshtjes së gjatë për rezultatin e garës presidenciale.
Në komentet e tij në sallën e senatit, McConnell pranoi fitoren e demokratëve pas rezultatit zyrtar të Kolegjit Zgjedhor të hënën. McConnell e mbylli fjalimin e tij prej afro 10 minutash ku kryesisht vlerësoi Presidentin republikan Donald Trump, duke thënë: “Sot dua të përgëzoj Presidentin e zgjedhur Joe Biden”, ndërsa shtoi se zoti Biden “i është përkushtuar shërbimit publik për shumë vjet. ” Senatori McConnell tha se kishte shpresuar për një “rezultat tjetër” në zgjedhjet e 3 nëntorit, por shtoi se “të gjithë Amerikanët mund të krenohen që vendi ynë për herë të parë ka një nënpresidente të zgjedhur”. Vetë Biden, pas konfirmit të fitores së tij nga Kolegji, u tha amerikanëve se demokracia u vu në provë, por qëndroi e fortë.
“Sundimi i ligjit, Kushtetuta jonë dhe vullneti i popullit fituan. Në Amerikë, politikanët nuk e marrin pushtetin, është populli që ua jep atyre. Flaka e demokracisë është ndezur në këtë vend shumë kohë më parë. Dhe tani ne e dimë se asgjë, madje as një pandemi, apo një abuzim i pushtetit, nuk mund ta shuajë atë flake”.
Presidenti Trump, ende këmbëngul në mënyrë të pasaktë, se ai ka fituar në zgjedhjet e muajit të kaluar. “Kjo çështje nuk është mbyllur”, tha ai Trump për televizionin Fox News në një intervistë të dielën në mëngjes, megjithëse dhjetëra padi lidhur me pretendimet e tij se po i mohohet padrejtësisht një mandat i dytë, janë hedhur poshtë nga gjykatat.
Top Channel