Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së ditës së sotme u ka bërë thirrje të gjithë prindërve që të ruajnë fëmijët nga presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Ai tha se është shumë i keqardhur që kreu i PD-së Lulzim Basha ka heshtur në lidhje me protestat në vend prej 6 ditësh. Kjo thirrje vjen pas pjesëmarrjes së shumtë të fëmijëve në protestat pas vrasjes së Klodian Rashës nga një polic.

“Si kryeministër s’mund të them më shumë , për dhunën është fatkeqësi e madhe që ka akoma njerëz që nuk e kanë kuptuar që me dhunë,  me pahir,  me presion një qeverie që drejtohet nga unë nuk i merret dot asgjë zero. Ilir Meta nuk mendon për gjë tjetër veçse të gjejë shesh e bëjë përshesh , ai shikon vetëm shesh për të bërë përshesh, çfarëdo, buxhetin e shtetit, ligj për kafshët akt nënligjor për fishkëllimat kështu që nuk kam asnjë surprizë për ta. Jam i keqardhur që Lul Basha hesht njësoj siç heshtin semaforët, ai e di shumë mirë se kush e bën, nuk e bën ai por s’ka asnjë forcë karakteri që të dalë e të thotë stop, nuk urdhëron dot as Molotova Ademin. Kjo është situata dhe dua të mbyll me një thirrje për prindërit që të ruajnë fëmijët nga Ilir Meta dhe Saliu është një thirrje serioze nuk është as batutë dhe as retorikë”, tha Rama.

Top Channel