Portet antike të Durrësit, destinacionet e reja turistike në Mesdhe

15/12/2020 16:46

Kepi i Rodonit dhe zona e Currilave në Durrës i shtohen destinacioneve të itinerarit turistik mesdhetar. Këto destinacione të reja turistike shqiptare do të bëhen pjesë e guidave turistike mesdhetare për t’i pasuruar ato me histori, dëshmi dhe fakte tejet tërheqëse që gjallojnë përgjatë brigjeve të Adriatikut dhe që kanë bashkuar popujt e Mesdheut dhe më gjerë që në antikitet.

Përtej pandemisë dhe kufizimeve që ka sjellë ajo, pasurimi i itinerareve turistike me zona të veçanta është kthyer në kryefjalë për Qendrën Muzeore të Durrësit e cila është organizatë partner në projektin europian “Approdi- Nga rrugët detare antike në destinacione eko-turistike”.

Përmes këtij projekti synohet promovimi dhe vlerësimi i 5 zona portuale antike në vendet që lagen nga Adriatiku dhe Joni, si dhe përfshirja e komuniteteve lokale në zhvillimin e tyre. Konkretisht janë portet antike të Durrësit në Shqipëri, Dubrovnikut në Kroaci, Korfuzit në Greqi, si dhe Ortonës dhe Venecias në Itali. Vëmendja është kthyer drejt zhvillimit eko-turistik të porteve antike, të zonave të pasura me trashëgimi kulturore mbi dhe nënujë. Në të kaluarën, të gjitha territoret e përfshira kishin porte të rëndësishme antike, ndaj në ditët e sotme destinacione të ngjashme konsiderohen mjaft tërheqëse për turistët ndonëse nuk duken aq të dobishme për zhvillimin e qyteteve. Në këto zona vihet re një përfshirje e pamjaftueshme e aktorëve të komunitetit në vlerësimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Arkeologia Eda Çekrezi pranë Qendrës Muzeore Durrës thotë se zonat e përzgjedhura në Durrës, si ajo e Currilave dhe Kepi i Rodonit, kanë pasur një rëndësi të veçantë përsa i përket marrëdhënieve tregtare gjatë antikitetit dhe nga gjetjet e deritanishme konfirmohet rëndësia e tyre si pika portesh antike.

Zona e Currilave në qytetin e Durrësit rrethohet nga kodra e cila mban të njëjtin emër. Falë pozicionit në të cilin ndodhet ajo frekuentohet lehtësisht, por ende jo për potencialin turistiko-kulturor dhe botën e pasur nënujore që ka. Kepi i Rodonit, nga ana tjetër, ofron potencial të lartë eko – turistik.

Arkeologjia nënujore dhe gjetjet e saj kanë dëshmuar mbi marrëdhëniet e ngushta tregtare të vendit tonë me vendet e tjera të botës antike, përmes detit. Amforat e shumta të gjetura nënujë përgjatë brigjeve të Adriatikut nga zhytës profesionistë, po dhe amatorë të zhytjes në Durrës kanë treguar për një botë të gjallë artefaktesh që deri më sot nuk është shfrytëzuar në funksion të zhvillimit turistik dhe ekonomik. Jo vetëm amfora. Edhe fragmente të ndryshme anijesh të zbuluara gjatë ekspeditave nënujore nga arkeologët e Muzeut Arkeologjik të Durrësit e kanë kthyer vëmendjen e autoriteteve të specializuara të kësaj fushe në bregdetin e Adriatikut, si një zonë me potencial të lartë për zhvillimin e eko-turizmit.

Amforat e zbuluara ndër vite në zonën e Currilave, në Durrës, sipas arkeologëve, i përkasin periudhës arkaike deri në antikitetin e vonë, nga shekulli VI para erës sonë deri në shekullin VI pas erës sonë. Në të njëjtën zonë janë gjetur dhe fragmente kapitelesh dhe spirancash. Gjetjet janë zbuluar gjatë punës për të identifikuar Portin Antik të Durrësit. Vëmëndje e veçantë u është kushtuar elementeve të plumbit që u përkasin spirancave antike të Durrësit. “Këto elemente plumbi, kryesisht krahë dhe ndërsqepa spirancash, konsiderohen nga specialistët si prova që dokumentojnë evolucionin e spirancave të drurit dhe janë një tregues i rëndësishmëm për zhvillimin dhe kontaktet që marina ilire dhe qytetet port të Ilirisë së Jugut kishin me qendrat e rëndësishme tregtare të Mesdheut. Ato janë dëshmi më shumë për teknologjinë e prodhimit të tyre, si në kantjere detare apo atelietë e specializuara në fushën e detarisë në Iliri apo botën detare mesdhetare.” – thotë Çekrezi.

Zona nënujore e Currilave, “Te batllat” ka qenë dhe mbetet një tërheqje e përhershme për zhytësit vendas për shkak të gjithçkaje që bota nënujore ofron, që nga pasuritë natyrore dhe të trashëgimisë kulturore dhe deri te aventura e eksplorimit nënujor.

Kepi i Rodonit dëshmon për një tjetër pikë të rëndësishme portuale në rajonin e Durrësit.
Përveç kalasë së Skëndërbeut dhe kishës që ndodhen te Kepi i Rodonit, po merret në konsideratë dhe prania e një fari ndriçues në zonën veri-perëndimore të Kepit. Kjo bazuar në të dhënat albanologjike dhe në hartat e albanologëve që vizituan Shqipërinë në shek. XIX, si studiuesi hungarez Teodor Ipen, i cili një shekull më parë dokumentoi praninë e një fari në Kep. Një tjetër kërkim është përqëndruar në gjetjen e rrenojave të Manastirit të Shën Klarës, ku qëndroi deri në fund të jetës së saj Mamica, motra e Skëndërbeut. Studiuesit po vlerësojnë  mundësinë që manastiri të ndodhet pranë kishës së Shën Ndoit. Këtyre objekteve të trashëgimisë sonë kulturore i shtohen edhe kërkimet nënujore në Kepin e Rodonit ku fillimisht u zbuluan dy relike anijesh që i përkasin shek. III-IV para erës sonë dhe që u emërtuan simbolikisht “Rodoni 1” dhe “Rodoni 2”. Arkeologët besojnë se ato transportonin drejt Durrësit dhe destinacioneve të tjera mesdhetare ngarkesa të perziera me amfora korintike, si dhe tulla, tjegulla e qeramikë fine.

Në mesvjeshtën e vitit 2018, u gjet fragmenti i një anijeje tjetër. Ky fragment, me gjatësi rreth 20 metra, mendohet se është pjesë e një anijeje 300-400 vjeçare dhe u zbulua farë pranë vijës detare. Zbulimi u emërtua “Rodon 4”, pasi erdhi pas zbulimit të tre relikteve të tjerë në të njëjtën zonë. Kepi i Rodonit ofron dhe një ekomjedis mjaft të pasur ndaj krijimi i një parku natyror e mjedisor me element arkeologjik, të vizitueshëm në çdo stinë do t’i jepte zhvillim të qëndrueshëm turizmit në këtë zonë e cila ndodhte vetëm 50 km larg Tiranës dhe Durrësit.

Trashëgimia e pasur nënujore, po dhe ajo mbi ujë që Kepi i Rodonit dhe Currilat mbartin çuan në këtë vëmendje të shtuar të specialistëve ndaj tyre, duke synuar përfshirjen e tyre në destinacionet më të kërkuara turistike të Mesdheut për turistët e apasionuar pas dëshmive të Antikitetit dhe realitetit të sotëm të porteve antike detare në Adriatik.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel