Liverpool-Tottenham/ Sfida mes Klopp-it dhe Mourinho-s

15/12/2020 12:32

Mesjava e futbollit evropian ka rezervuar supersfidën mes Liverpool-it dhe Tottenaham-it, dy skuadra që janë në 2 vendet e para të renditjes me 25 pikë secila dhe një fitore e çdonjërës prej tyre do të thotë një shkëputje e lehtë në vendin e parë.

Por kjo përballje, përveç duelit të yjeve të skuadrës në fushën e lojës ka brenda saj edhe sfidën e pankinave; atë mes Jurgen Klopp-it dhe Jose Mourinho-s me gjermanin që e ka bilancin në favorin e tij teksa ka 5 fitore, kundrejt 2 të portugezit, ndërsa 4 sfida janë mbyllur në barazim. Këtë të mërkurë do të jetë përballja e radhës mes tyre me Liverpool dhe Tottenham që janë në një duel të hapur për titullin. Hotspurs është në vendin e parë falë golavarazhit ë të mirë, por Liverpool skuadra kampione në fuqi e Anglisë luan në Anfield dhe do të jetë e vetmja ndeshje me publik duke qenë se qeveria britanike vendosi të mbyllë të 6 stadiumet e Londrës që nga kjo e mërkurë pas rritjes së rasteve me Covid.

Përballjet e para mes Klopp-it e Mourinho-s janë ato të periudhës, kur gjermani drejtonte Dortmund-in dhe Mourinho Realin e Madridit. Në Championsin e 2012/13 skuadra e Klopp-IT e la jashtë finales Realin duke e mundur 4-1 në gjysmëfinalen e parë e humbur vetëm 2-0 në atë të kthimit me Dortmundin që humbi më pas në finale ndaj Bayern-it.

Në po atë sezon, Dortmund e Reali u përballën edhe në fazën e grupeve me Dortmundin që fitoi një ndeshje 2-1 dhe barazoi 2-2 në tjetrën. Në Angli, Mourinho u përball me Klopp-in si trajner i Chelsea-t, Manchester United-it e Tottenham-it me gjermanin në stolin e Liverpool-it. Dhe në Premier League, Mourinho ka fituar vetëm 1 herë; 2-1 kur drejtonte Djajtë e Kuq dhe në 2018-ën ishte pikërisht skuadra e “The Reds” që shkaktoi edhe shkarkimin e Mourinho-s nga stoli i Djajve të Kuq, teksa fitoi sfidën 3-1.

Top Channel