Gjykata e Hagës refuzon kërkesën e ujgurëve për të hetuar Kinën

15/12/2020 04:41

Pavarësisht thirrjeve nga ujgurët në mërgim, prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve thonë se nuk do të hetojnë Kinën lidhur me pretendimet për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, thuhet në një raport të publikuar me 14 dhjetor.

Ujgurët patën bërë thirrje për hetime dhe i servirën gjykatës në Hagë prova në muajin korrik, për të cilat thonë se mbështesin pretendimet e tyre për abuzime nga Kina ndaj pakicës etnike. Të premten, gjykata kërkoi më shumë prova, njofton gazeta “The Guardian”. Por zyra e prokurores Fatou Bensouda tha se nuk ishte në gjendje të hetonte çështjen, sepse Kina nuk është nënshkruese e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, njofton agjencia franceze e lajmeve AFP.

“Ky parakusht për ushtrimin e juridiksionit territorial nuk duket se është përmbushur lidhur me shumicën e krimeve të pretenduara”, citohet të ketë thënë prokurorja Bensouda. Gjykata po ashtu tha se nuk kishte “asnjë bazë për të vazhduar” çështjen në lidhje me pretendimet se ujgurët ishin dëbuar me forcë nga Taxhikistani dhe Kamboxhia drejt Kinës. Ujgurët argumentuan se, meqënëse Taxhikistani dhe Kamboxhia ishin nënshkrues të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve (ICC), atëhetë kjo e fundit kishte juridiksion për të vepruar.

Kina është shprehur për pretendime të pabaza. Shumë vende perëndimore, përfshi Shtetet e Bashkuara, thonë se qeveria kineze ka përdorur maskën e luftës kundër ekstremizmit fetar dhe politk për “politikat e saj sistematike” të shtypjes së ujgurëve dhe pakicave të tjera, përshi dërgimin e 1 milion deri 1.8 milion njerëzve në kampe internimi, indokrinimin politik, zhdukjet me forcë, shkatërrimin e veprave kulturore, punën e detyruar dhe parandalimin me forcë të lindjeve.

Në muajin tetor, 39 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara e dënuan trajtimin e Kinës ndaj pakicës etnike. Qeveria kineze ka hedhur poshtë akuzat për abuzim të drejtave të njeriut në Xinjiang, duke thënë se po zhvillon një fushatë, të quajtur “qendrat për tranformim përmes edukimit”. Zyrtarët kinezë i kanë quajtur kampet objekte të “formimit profesional” për njerëz të ekspozuar ndaj “ideve ekstremiste dhe terrorizmit”. Zyrtarët po ashtu kanë thënë se kampet u mësojnë njerëzve aftësi të nevojshme për të gjetur punë të reja./VOA

Top Channel