Një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara Arabe parashikon transformimin e porit të Durrësit në zonë turistike të dedikuar për pasagjerët dhe jahtet. 

Ndërkohë që për transportin e mallrave qeveria parashikon ndërtimin e  një porti të ri në Porto Romano.

Belinda Balluku Ministre  e Infrastrukturës dhe Energjisë bashkë me Muhammed El Alabbar president i EMAAR Group me qendër në Emiratet e Bashkuara, panë në terren të gjithë zonën ku parashikohet ndërtimi portit të ri.

Projekti parashikon edhe një mori investimesh transformuese, përgjatë të gjithë perimetrit përpara portit.

Pak përpara largimit nga Tirana Muhammed El Alabbar në një intervistë për gazetarin e  Top Channel Muhamed Veliu, fillimisht i përgjigjet pyetjes se përse Emiratet Arabe krahas ndërtimit të lagjes së re në Durrës,  përfshihet në këtë projekt në portin  e këtij qyteti.

Muhammed El Alabbar: Unë besoj se si rezultat i marrëveshjes së investimeve me qeverisë së Emirateve dhe asaj shqiptare tashmë është ngritur një platformë e mirë për të bashkëpunuar  mes kompanive, qeverisë tuaj dhe Emirateve në të punuarit bashkërisht. E kështu Durrësi duke i parë historinë e kulturën, trashëgiminë që ekziston, është vendi i duhur për të gjithë ne në këtë bashkëpunim.

Muhamed Veliu: Le të flasim për detajet e këtij projekti. Përveç ndërtimit të portit çfarë parashikohet për pjesën e përparme të tij?

Muhammed El Alabbar: Gjatë të gjithë jetës time jam marrë me zhvillim zonash të një hapësire të madhe. Të tilla zona përfshin një ndërthurje objektesh. Natyrisht kur ndërtohet një port marinë, sikurse ato ekzistuese të madhësive të mëdha në Mesdhe, ne rindërtojmë edhe pjesën e përparme pra të bregut të detit. Kjo do të ndodhë edhe në Durrës duke përdorur metodat inxhinierike e projektuese më të avancuarat të kohës. Do të ndërtohen apartamente, hotele, qendra tregtare përfshi ambientet argëtuese. Kjo nuk mund të bëhet pa pasur një infrastrukturë të klasit të parë. Për këtë duhet menduar se si rimodelohen rrugët, parqet dhe mbi të gjitha çdo ambient për njerëzit që ata ta jetojnë jetën me ato shembuj më të mirë që janë ndërtuar në botë. Avantazhi im është se e kam bërë këtë punë gjatë përgjatë 30 viteve të fundit me stafin tim profesionist. Këtu  do të sjell më të mirën e të gjithës asaj çfarë kemi mësuar, kjo për Durrësin.

Muhamed Veliu: Grupi EMAAR është i shquar për ndërtimin e gradaçelave të larta por a e keni ekspertizën e duhur në ndërtimin e porteve?

Muhammed El Alabbar: Ne jemi me fat për ndërtimin e ndërtesave të gjata  e të shkurtra, klube golfi, kinema, qendra tregtare, hotele disa prej të cilave në resortet turistike buzë detit. Për shembull një zonë që ne po zhvillojmë është në Egjipt në një sipërfaqe prej 6 milion metra katror. Nëse shikoni marinën e Dubait është ndërtuar nga ne.  Aty  jetojnë 10.000 njerëz. Më shumë se 700 jahte e anije qëndrojnë atje. Ne e kemi bërë këtë përpara 20 vitesh. Dua ta theksoj se ajo që mund të bëhet në Durrës do të jetë shumë herë më e bukur dhe e avancuar.

Muhamed Veliu:Kur planifikoni të nisni zbatimin e këtij projekti ambicioz në për Durrësin?

Muhammed El Alabbar: Ne jemi duke punuar shumë me autoritetet që po na japin një ndihmë fantastike. Kryeministri është një mbështetës  i madh. Ne po bëjmë shumë punë duke nisur nga dizenjimi, infrastruktura, plazhi, marina dhe një studim i ambientit. Kur vjen puna tek studimi ambientit unë e them gjithnjë se kjo është faza më kritike pasi do të na duhet të pastrojmë portin nga skorjet dhe ndotja. Nuk është e drejtë mendoj,  për njerëzit e Shqipërisë dhe Durrësit nëse ne e lejmë në atë gjendje që është. Pra po bëhet shumë punë.

Muhamed Veliu: Mund të na thoni se cila vlera e të gjithë këtij investimi?

Muhammed El Alabbar: Të dhënat e para na tregojnë ne, se i gjithë investimi mund të jetë afër 2 miliard euro me të gjitha  facilitetet, ndërtimet, infrastrukturën që na duhet të bëjmë, zhvillimin e plazhit përfshi portin e marinës natyrisht.

Emaar Grup përfaqësuar nga Muhammed El Alabbar është ndërtuesi dhe pronari gradaçelës më të lartë në botë në Dubai, Burj Khalifa.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA