Për të pestën ditë me radhë, qytetarët në Tiranë protestuan për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha nga efektivi i policisë.
Protesta nisi në mënyrë paqësore në sheshin “Skënderbej” me thirrjet “Drejtësi për Klodianin”, derisa ata u shpërndanë pas rikthimit në shesh me anë të gazit lotsjellës.
Policia u kërkoi disa herë protestuesve që të shpërndahen, pasi tubimet mbi 10 persona janë të paligjshme për shkak të pandemisë, por marshimi i tyre vazhdoi.
Pas mbërritje në Kryeministri ata iu drejtuan Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku u përballën me policinë. Pasi disa të rinj qëlluan me gurë drejt policisë efektivët i shpërndanë ata me ujë dhe gaz lotsjellës.
Disa persona që nuk u bindën u shoqëruan në polici.
Ndërkohë duket se protestuesit e fundit kanë mbetur në sheshin ”Zogu i Zi”, ku dhe pritet të largohen menjëherë për të shënuar fundin e organizimit të sotëm si dita e pestë e revoltës, për vrasjen e të riut Klodian Rasha.
Top Channel