Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë njoftoi të shtunën se gjatë 24 orëve të kaluara janë regjistruar edhe 12 viktima nga koronavirusi. Sipas raportit ditor të institutit, nga testimi i 1.555 mostrave janë regjistruar edhe 524 persona të infektuar me koronavirus.

Të shëruarit sipas raportit janë 566 ndërsa rastet aktive 11868.

Por, ndërsa shifrat janë ende të larta për Kosovën, ajo që u vu re në fundjavë, ishte një mësymje e kosovarëve drejt qendrave të skijimit, vecanërisht asaj në Brezovicë, shpesh pa respektuar distancën fizike dhe mbajtjen e maskës mbrojtëse. Mbajtja e maskave mbrojtëse në ambiente të hapura është e detyrueshme në Kosovë dhe po ashtu edhe distanca fizike.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj tha të premten se autoritetet shëndetësore të këtij vendi kanë vërejtur një sheshim të rritjes së rasteve të infektimit në javët e fundit në Kosovë. Megjithatë, ai ka thënë se respektimi i masave që janë në fuqi, duhet të vazhdojë patjetër dhe me intensitet të shtuar, meqë spitalet janë të mbingarkuara.

“Në ecurinë e pandemisë është vërtetuar se numri i vdekjeve mbetet i lartë edhe disa javë pas fillimit të rënies së numrit të rasteve”, ka thënë Zemaj.

Top Channel