Rama: Iliri dhe Saliu ta harrojnë/ Reagon Kryeministri: Po përdoren fëmijët si kamikazë

12/12/2020 15:10

Aktet e dhunës në protestën e Shkodrës ku u përdorën edhe disa minorenë, kryeministri Edi Rama i ka krahasuar si veprime të ngjashme me ato të një organizate terroriste në Afrikë.

“Terroristët e Boko Haramit i përdorin fëmijët si kamikazë, nuk janë të parët në radhën e abuzuesve të minorenëve! Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare kjo është tejet e dhimbshme. Uroj shumë dhe besoj fort se nuk ka prind demokrat e opozitar që ta pranojë këtë abuzim ekstrem me kalamajtë të udhëheqësve pa atdhe, pa din e as iman, pa shpirt e as tru, të kësaj opozite të mjerë në boshllëkun e saj moral dhe karakterin e saj kriminal! Mos i harroni këto kurrë”.

Kryeministri Edi Rama duke komentuar protestat në  flet edhe për rrolin e presidentit Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Sipas Ilir Metës policia nuk duhet të reagojë, po duhet të dorëzojë Tiranën dhe veten në duart e dhunuesve të verbër, që ai bashkë me Saliun të bëjnë Lulin dhëndër të pushtetit dhe Monikën arkëtare të shtetit, si në kohët e arta të bashkëqeverisjes me plumba mbi protestuesit!”

Për qëndrimet e presidentit Ilir Meta, Edi Rama thotë:

“Kur policia reagoi ndaj një provokatori famoz gjatë ushtrimit të dhunës opozitare tek Kuvendi, Ilir Meta vrapoi në spital për të vizituar heroin e dhunës! Kur policit të shtetit, i nxjerrin syrin dhunuesit me kapuça të nxitur prej tij e Saliut, Ilir Meta dënon dhunën policore!”

Edi Rama paralajmëron presidentit dhe udhëheqësve të opozitës  se duhet ta harrojnë se do të mund të përfitojnë politikisht nga dhuna.

“Por Iliri dhe Saliu duhet ta harrojnë se e kthejnë prapë Shqipërinë për përsheshin e tyre dhe sado ëndrra të shohë Luli duke mbajtur lugën në dorë që t’i vijë gjella e Monikës, Shqipëria do të vazhdojë drejt përpara, me mund e durim, për t’u bërë ajo që duan fëmijët e saj!”

Ndërsa numri dy i PS-së, Taulant Balla tha se në Shkodër organizimi protestës është nga Partia Demokratike e në qytete të tjera po ashtu.

” Ndërkohë shqiptarët nuk kanë harruar se kur Sali Berisha dhe Ilir Meta dhe Ministri i Brendshëm i asaj kohe, vrisnin qytetarë bashkë në bulevard, urdhrat e prokurorisë për vrasësit nuk ekzekutoheshin, madje vrasësit merreshin në mbrojtje dhe gradoheshin. Lulzim Basha u gradua nga Sali Berisha për vrasjet në bulevard. Në këtë këndvështrim, për të qenë korrekt me përgjigjen, dua të them se protesta qytetare tashmë është grabitur nga opozita e Ilir Metës dhe Sali Berishës. Tashmë kemi të bëjmë me akte dhunë, huliganizëm dhe vandalizëm”.

Dhuna thekson Taulant Balla po sponsorizohet dhe paguhet nga paratë e korrupsionit të pandëshkuar të Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Sali Berishës e Lulzim Bashës.

 

Top Channel