“Edhe në spital i blemë ilaçet”! Prishtinë/ Rrëfimi i të shëruarit nga Covid: Shpenzova 2 mijë euro për barna

12/12/2020 15:19

Fisnik Dërguti ishte në mesin e personave të infektuar me Covid 19, që zgjodhi të trajtohet në shtëpi.

Këtë vendim ai e mori jo për shkak të gjendjes së mirë shëndetësore, por siç thotë moskujdesit adekuat nga stafi shëndetësor. Gjatë trajtimit dy ditor në Klinikën Infektive në Prishtinë, Dërguti tregon se është vizituar nga mjeku vetëm në fillim, derisa infermierët nuk kishin shkuar as për t’ia larguar pajisjet pas marrjes së infuzioneve.

Si rrjedhojë, përveç blerjes së barnave, atij i ishte dashur edhe angazhimi i stafit mjekësor, gjë që i kushtoi 2 mijë euro bashkë me shpenzimet për blerje të medikamenteve.

Ai thotë se kjo shumë është e papërballueshme për pjesën dërrmuese të popullatës, për çka dhe kritikon institucionet që nuk po rimbursojnë të paktën 50 përqind të mjeteve.

Përveç Dërgutit, një pjesë e konsiderueshme e të infektuarve janë ankuar se u është dashur të blejnë pjesën dërrmuese të barnave, megjithëse janë trajtuar në spitalet publike, derisa sigurimet private shëndetësore të Kosovës nuk ua kanë mbuluar shpenzimet për barnat që luftojnë Covid-19.

 

Top Channel