Akuzat e socialistëve për sulmin ndaj selisë së PS-së në Shkodër, reagon PD-ja: Nxitja e kaosit i shërben vetëm Ramës

12/12/2020 19:10

Pas reagimit të socialistëve Taulant Balla dhe Ilir Beqja, lidhur me protestën e zhvilluar në Shkodër për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i “Shqiponjave”, e cila përfundoi me një sulm ndaj selisë së PS-së, ka reaguar Partia Demokratike.

Më herët, të dy njëzëri, Balla dhe Beqja thanë se ky nuk ishte gjë tjetër veçse një sulm i porositur nga Tirana nga Berisha, Meta, Kryemadhi dhe Basha, ndërkohë që Partia Demokratike, dega Shkodër e mohon kategorikisht diçka të tillë.

“Inskenimi i ngjarjeve të sotme nga Edi Rama dhe policia që të vret natën dhe të qan ditën, si dhe akuzat e dala nga goja e Taulant Ballës dhe Ilir Beqjes se PD ka organizuar protestën e sotme, janë totalisht të pavërteta. E vërteta është se policia, gjatë gjithë manifestimit të sotëm ka qenë inekzistente dhe nuk ka reaguar as kur është vënë në dijeni se çfarë po ndodhte. Policia nuk ka ushtruar detyrën funksionale të ruajtjes së sigurisë së qytetarëve dhe mbarëvajtjen e protestës. Nxitja e dhunës dhe e kaosit i shërben vetëm Edi Ramës për të hequr vëmendjen nga keqqeverisja dhe dështimet e tij në këto 7 vite”, shkruhet në reagim.

Më tej deklarata vijon:

“Protesta është e drejtë legjitime dhe ajo duhet të ushtrohet pa pengesa dhe tejkalime. Edi Ramën,Taulant Ballën dhe Ilir Beqjen nuk e beson më askush. Manipulimet dhe inskenimet e tyre janë tashmë të përsëritura dhe të dala boje. Përçarja që duan të mbjellin në Shkodër do të rëndojë vetëm mbi to. Shkodranët pa asnjë dallim, janë bashkë, në mbrojtje të jetës dhe demokracisë. Boll më me inskenime, me nxitje dhune me gjuheë agresive ndaj qytetarëve. Ata nuk durojnë dot më talljen, nëpërkëmbjen, mashtrimin e kësaj qeverie, që të vret natën e të qan ditën. Qytetarët duan ndryshim!”

Top Channel