Grafiku

Prefekti i qarkut Tiranë z. Toni Gogu ka thirur në një takim drejtuesit e zyrave arsimore të qarkut si dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore me qëllim diskutimin e vijueshmërisë së procesit arsimor dhe masave të diktuara nga pandemia COVID-19. Referuar të dhënave të mbledhura që nga nisja e vitit shollor dhe deri më tani përsa u përket mësuesve dhe nxënësve të infektuar, prefekti kërkoi të informohej mbi ndikimin e masave anti-COVID 19 në vijueshmërinë e procesit arsimor.

Pas analizimit të të dhënave mbi numrin e mësuesve, edukatorëve dhe nxënësve të infektuar në nivel qarku, drejtuesit e zyrave arsimore pranuan se në muajin tetor ka patur një shtim të rasteve të infektimeve, por ajo që vlen të theksohet është se thuajse të gjitha rastet janë infektuar jashtë institucioneve arsimore. Kjo sipas përfaqësuesve të ZVAP-ve është një fakt se hapja e shkollave nuk ndikon në përhapjen e virusit. Në përfundim të gjithë drejtuesit u zotuan se jemi në kushte ku mund të vijojmë normalisht procesin mësimor e madje deri në mbylljen e vitit shkollor.

Referuar zbatimit të udhëzimit të ri që që përcakton alternimin e mësimit fizik apo online, vetë drejtuesit e zyrave arsimore thanë se skenari po zbatohet në të gjitha shkollat. Për shkollat me pak nxënës drejtoritë kanë vendosur që mësimi të bëhet fizikisht duke zbatuar të gjitha protokollet e përcaktuara nga autoritetet përkatëse. Ajo çka u konstatua si problem në aplikimin e mësimit online ishte vështirësia e aksesit në internet për shkolla që ndodhen në territore të largëta, ndaj menjëherë Prefekti i Qarkut Tiranë u vu në kontakt me AKEP dhe operatorët e internetit për të referuar këtë problematikë dhe për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt.

Një nga shqetësimet që ka krijuar pandemia në arsim është ajo e mungesës së mësuesve, të cilët karantinohen deri në marrjen e përgjigjes së tamponit. Në takimin e organizuar nga Prefekti I Qarkut Tiranë, përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik deklaruan se për mësuesit dhe punonjësit e sistemit shëndetësor ka nisur aplikimi I testeve të shpejta, përgjigja e të cilëve del për vetëm 15 minuta, dhe kështu bëhet e mundur zgjidhja e mungesës së mësuesve në shkolla.

Më poshtë grafiku me të dhëna mbi mësues dhe nxënës të infektuar me COVID -19 nga nisja e vitit shkollor deri në datë 04 dhjetor 2020

Top Channel